Kryesore A është Soros pas shpalljes non grata nga SHBA? Si përgjigjet Berisha

A është Soros pas shpalljes non grata nga SHBA? Si përgjigjet Berisha

I pyetur se a qëndron George Soros pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non grata, ish-kryeministri Sali Berisha u përgjigj se nuk mund ta thotë këtë, por shprehet se ai e ka sulmuar Sorosin kur ka kundërshtuar ndryshimin e kufijve në Kosovë  dhe duke e cilësuar atë si armik të demokracisë shqiptare.

“Nuk e them që është Soros pas këtij akti. Unë rendis çfarë kam bërë këto vite. Kam qenë i pari që kam kundërshtuar ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve dhe e dija që kam përpara të gjithë qeveritarët e rajonit, projektuesin Soros, projekt i bërë nga Beogradi. Ishte bërë lobim i fuqishëm sa nuk e imagjinoni, por interesi i vendit tim ishte të thoja atë që mendoja. Kam qëndruar kundër krimit e drogës në këtë vend, për t’u nxjerrë njerëzve frikën, e kam bërë me qëllim unë nuk jam as prokuror, as gjyqtar dhe as hetues, por kam përdorur mjetet e mia për të denoncuar bandat. Kam sulmuar haptazi Sorosin si kryespekulant i planetit. E kam bërë në valët e Zërit të Amerikës, e kam cilësuar armik të demokracisë shqiptare. Unë kam patur objektivat, jam njeri me objektiva dhe në letër kam thënë që këto kam bërë dhe jam krenar për këto që kam bërë”.

Berisha thekson se akuzat e Sekretarit Amerikan të Shtetit janë të pabaza, ndërkohë që e konsideron veten si autor të heqjes së imuniteteve dhe këtu i referohet ish-ministri Mediu dhe Ilir Metës.

“Ajo që mund të them është se akuza është pa asnjë bazë. Berisha është autor i heqjes së imuniteteve. Në këtë vend pas ndodhisë në Gërdec kemi votuar heqjen e imunitetit ish-ministrit Mediu. Çfarë ndërhyrje qenka kjo? Çfarë ndërhyrje është kjo për Ilir Metën kur ai kërkoi vetë për hapjen e procesit dhe u gjykua në gjykatë. Cila është ndërhyrja pengimi me imunitet apo pa imunitet. Qeveria ka detyrë të heqë imunitetet dhe ndaj i jam drejtuar gjykatës për këtë”.

Kur u pyet nëse do të ndihet në pozitë të vështirë PD që ka një person non ngrata nga SHBA, ai tha se në vështirësi do të duhej të ndihej nëse nuk i adresohej një gjykate neutrale për të bërë drejtësi

“PD duhet të ndjehej në vështirësi nëse ky person nuk i adresohet një gjykate neutrale për të bërë drejtësi. Nëse do të bëjnë vetë prokurorinë, gjykatësin kjo nuk pranohet”.