Presidenti francez Emmanuel Macron e ka filluar me “dhimbje koke” gjysmën e dytë të mandatit të tij. Shkak është bërë beteja për Bashkinë e Parisit, për të cilën nga partia e tij kanë dalë dy kandidatë. Për analistët, është koha që Macron të përballet për herë të parë me përçarjet dhe diversitetin politik.
Pas një sezoni veror të cilin e kaloi duke ekspozuar muskujt diplomatikë, fillimi i gjysmës së dytë të mandatit për presidentin Emmanuel Macron nuk ishte aspak pozitiv.
Me një akt sfide, deputeti më i spikatur i partisë La Republique On Marche, Sedrik Vilani’ shpalli kandidaturën e tij për bashkinë e Parisit, duke bërë edhe më të thella plagët e përçarjes në partinë qeverisëse të Macron dhe njëkohësisht duke rrezikuar seriozisht shanset e saj për të fituar zgjedhjet vendore.
Një sondazh i publikuar ditët e fundit tregon se dy kandidatët e LREM janë kokë më kokë prapa Anne Hidalgo, kryebashkiake në ikje e Partisë Socialiste. Më 10 korrik partia e Macron miratoi emrin e Benjamin Griveaux, një ish-zëdhënës i qeverisë dhe anëtar i këshillit bashkiak të Parisit, për zgjedhjet lokale të vitit 2020.
Por procesi i përzgjedhjes u cilësua me defekt nga Vilani’, një ligjvënës i LREM dhe matematicien i njohur. Griveaux i propozoi Vilani’ që t’i bashkohej fushatës së tij, por kolegu zgjodhi ta kalonte sezonin veror në qetësi dhe të shpallte kandidaturën e tij më 4 shtator.
Partia e Macron mori formë 3 vjet më parë në përpjekje për të sfiduar estabilishmentin politik dhe u tregua e aftë të tërhiqte tek vetja të djathtët dhe të majtët e moderuar me premtimin për një reformë dhe axhendë pro-europiane. Por tani në këtë subjekt po shihen përçarje dhe krijime fraksionesh, ndërkohë që më parë anëtarësia dukej shumë e qetë dhe e bashkuar.
“LREM është shumë e unifikuar në mbështetje të Macron për çështje si Europa dhe reformat që duhen bërë, por tani po zbulohet se si çdo parti politike tjetër duhet të përballet me diversitetin dhe pluralizmin e opinioneve”, deklaron Bruno Kutres, analist i çështjeve politike.
Për të konfirmuar përçarjen, mjafton të kujtohet se si në Mars, 50 deputetë të partisë në pushtet abstenuan në votimin për një projektligj kundër huliganëve, duke e cilësuar atë shumë të ashpër dhe madje duke mbajtur protesta.