Opinione Nga syzet e Krifcës, këpucët e Denajt, byreku i Elisës, takat e...

Nga syzet e Krifcës, këpucët e Denajt, byreku i Elisës, takat e Dumës, lideri ‘Muli’ dhe mbërritja e Bashës

Nga Agron Gjekmarkaj

Nuk do lodhesha në këtë orë të vonë që të risillja në kujtesë ditën e enjte nëse nuk do të isha pajtuar me Albanën, pas kaq muaj mërie që honeve të zemërimit na përplasi duke tranuar mijëra zëmra.

Pranë banakut në barin e Kuvendit ku uji më vitamia na shoi yndyrën e idhnimit shkëmbyem fjalët e para si belbëzim pas një memeclleku të gjatë krejt si lulja e parë e prillit që akullin e fundit thërrmon.

Në atë vazhdë gëzimi u shfaq edhe zëvendës Lideri Muli pak i trazuar nga pusitë që i ngrihen në kuvend që të mos flasë dhe godasë, të kumbojë me forcën e tij të argumentit e logjikës brenda të cilave qeveria shfaqet me veset e saj të shumta.

Kjo dhimbje a preokupim e kishin bërë njerëzor dhe të dashur e në atë humus emotiv shkëmbyem idera qysh të bëhet partia tok dhe furisë armike t’i bëjë ballë. Zevendës Lideri ma ktheu shikimin.

Por dita filloi me heshtjen e shkurtër për dikë torturuese të Belindes, atje sipër në podiumin e drunjtë! Mbi të thinjurin shesh të detit era fryn e mblidhen retë. Ulsiu kruspull, i bërë sa një grusht priste.

Bela bëri 8 ore luftë. Gjyle mbi Helidonin që plagët si Gjergj Elez Alisë i shtoheshin, bumje mbi Doktorin që si Sizifi ngjitej e binte, binte e ngjitej, me tu duk Stalingradi pesë me hiç. Të vetët e shihnin me admirim dhe zili. Babo po kaq nga zyra dhe vononte ardhjen i qetë.

Delina e cila vetëm kur flet nuk mendon buzëqeshte nga mendimet që i lodronin nëpër fiqir si kërriçat në zabel.

Tao në krahun tim jepte e merrte me lumturinë. Me shakatë e kripura si të Duçes e shkriu edhe Tonin që strehohet zakonisht në frigoriferin e arsyes.

Pas një fjalimi ku përkëdhelte të mirën e qeverisë si kërthiun në peqi dhe ndihmën e Zotit kërkonte për t’i hequr opozitës mendimet e këqija edhe Toni qeshi me hukamë e hov.

Çudi gjithë ky gaz e potere as arriti ta cimbiste koracën e seriozitetit të Etildes që ashtu kokëulur mbi kompjuter përcillte ditën politike pa ju dorëzuar monotonisë. Majko që çoku ja merr ndonjë buzëqeshje nuk pat sukses dhe në vend të atij nuri mori një ngjatetim nga gjeneral Kollçaku me Nasipin.

Ish Kryeministri trozovaç nuk dukej edhe aq i gëzuar me suksesin.

Jorida fjalimin e parë e mbajti kur këndoi gjeli i parë, të dytin kur stomaku kërkonte bukë ndërsa të tretin bash kur trupi lypte gjumë e shpirti paqe. Të katërtin e shkrojti në ënderr.

Gaz Bardhi si Baca i Gjetajve rrinte në krye tavolinash duke rrëfyer ankthin e negociatave. Në kafe ulur meqenëse Doktori dhe Babo nuk po vinin e partneritet në sallë nuk kishte, zhytej në murrëtim.

Kosta i Gramozit dhe Linditës shihej sa në një qoshe sa në një tjetër duke tundur kokën si për të na kujtuar se ditë e kiametit po vjen o të paudhë dhe ai është lajmëtari.

Salianji pasi hodhi benzine me bidona që nuk i mbarohen në çdo zjarr të ndezur, sherr kudo gjet paqe, llafe ku kishte rënë heshtja , zallamahi ku kishte dremitje, iku i uruari të hajë që të merrte forca për një raund të ri koherence. Armiq nga të gjitha anët e kanë rrethuar qerratanë po jepet ay? Qesh si më i bukri shejtan mbi katua.

Niko qerratai dhe Mimi di Puccini kuvendonin plot mbrothësi, futa turinjtë edhe unë nja pesë  minuta i paftuar duke lënë mënjanë sagën e Kalabrisë, ku Mimia ecte përpara ne nga pas, Mimia fliste ne heshtnim të gëzuar. Ashtu nën bekimin e Nikos sikur u ndamë me të kaluarën dhe modestinë e Mimisë që aq shumë me pat lënë mbresa në një paqe të qendrueshme.

Syzet e Krifcës na munguan të gjithëve. Denajn e shtrëngonin këpucët e reja. Parehatia e saj ngjante me shikimet e Braçes.

Befas një trok u dëgjua në sallë ishte Grida. Ajo shihte hijen e saj e cila i hapte rrugën nga shikimet si pararojë spartanesh teksa Nora e Kelmendit i përkëdhelte sedrën për ti punuar qindin pashait.

Jyrgys Çyrbja vara vinga bënte i paduruar me veshët të ngritur lart në mos ndoj fjalë të pamirë për Babon i zinin ato dhe gjëmën kishte si ofertë si re të zezë në tavan dhe psheretimën , ah qafira qafira.

Ec e ec, fol e fol dita po shuhej pa maja.

Diku më zunë sytë Elisën duke u përleshur me një byrek i cili e kishte mbuluar pjatën cep me cep ngaqë Doktori ënde nuk po mbërrinte dhe një beteje i duhej.

Mbeta pa përgjigje kur pyeta veten si e ruan elegancën me ato karbohidrate në xhiro?!

Tigrushi si Kostandini u pa kalimthi si dëshmi që mund të shkosh në të përtejmen botë politike e të kthehesh prapë si zefir.

Dash Sula si një bard i fyer në epin e tij nuk pipëtinte nga mosvëmendja për estetikën e lartë në të veshur. Një kollare e re i shkëlqente si dekoratë. Kreshnik Çollaku ndiente pikëllim për një metaforë të pa thënë në një rrugicë.

Tezja si burbuqe buçiste nga lumturia, hareja i rrinte përsiper si pelerinë ushtaresh nën shi. Aty këtu ndalej dhe qeraste miletin me gëzim.

Teta Gerta siç e thërret Bora kaloi një ditë të qetë mes buzëqeshjeve me masë e një serioziteti jo nervoz derisa erdhi Doktori i cili e gjuajti me të vetat dhe një “të rëntë pika, mos bëfsh hajer, të shoftë morta” erdhi nga sipër.

Xhela i cili po përgatit rikthimin në Kamëz si Napoleoni nga Egjipti ndihej në vendin e huaj si relike në muzeum.

Margeriti pat një ditë pothuaj në limonti me dilemën të rri apo të ik, harresa e Ina Zhupes kishte rënë mbi të si qetësia pas murlanit por jo mbi Kushin që nuk di më se çfarë është paqja qëkur pedagoget duan rroga më te mira.

Mesnata mbërriti si pakuptuar e bashkë me të edhe Luli i cili errësirën kishte pritur si rreng për sytë kureshtarë. Dikush pyeti, po ky ç’pat pse u mundua, sikur e kishim harruar?! Eh u bëmë Parti me dy lidera historik. Ah se desh harruam Babon. Ai erdhi më në fund dhe meqenëse At Zef Pllumin citoi tre herë për të hijeshuar fjalën e tij të gjatë mu kujtua shprehja e fratit të kujtimeve ” i mjerë ai popull që nuk ban zap bijtë e vet të keqij”.