Bota Biden: Trupat amerikane s’kanë pse vdesin në një luftë që nuk po...

Biden: Trupat amerikane s’kanë pse vdesin në një luftë që nuk po luftohet nga vetë afganët

Presidenti amerikan Joe Biden mbrojti vendimin e tij për të tërhequr trupat amerikanë nga Afganistani, pas pamjeve kaotike të publikuara në media në aeroportin e Kabulit, ku mijëra vetë vraponin për t’u shpëtuar talebanëve.

“Zgjedhja që më duhet të bëja ishte, nëse duhej të vazhdoja me marrëveshjen për të tërhequr trupat tanë, apo ta përshkallëzoja konfliktin duke dërguar mijëra ushtarë të tjerë amerikanë në luftime duke kaluar në dekadën e tretë të konfliktit”, tha Biden që këmbënguli se kishte marrë vendimin e drejtë.

Biden përmendi korrupsionin dhe përçarjen e liderëve politikë të Afganistanit që bashkë me forcat e armatosura atje nuk qëndruan të luftonin përballë talebanëve, por braktisen vendin.

Biden tha se ai dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare kanë qenë “duke monitoruar nga afër” situatën në terren në Afganistan.

Biden pranoi se bota tani po sheh një “kolaps të shpejtë” të qeverisë afgane, por ai këmbënguli se misioni amerikan në Afganistan “kurrë nuk supozohej të ishte ndërtim kombi”.

Joe Biden vazhdoi të mbrojë vendimin e tij për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Afganistani, edhe pasi forcat talebane morën Kabulin dhe bota pa imazhe të afganëve të dëshpëruar që përpiqeshin të largoheshin nga vendi.

“Unë qëndroj plotësisht prapa vendimit tim”, thotë Biden.

Ai shton se “gjithmonë i ka premtuar popullit amerikan se do të jetë i drejtpërdrejtë”, por pranon se situata me përparimin e fundit të talebanëve “është zhvilluar më shpejt nga sa kishim parashikuar”.

“Amerikanët nuk mund dhe nuk duhet të vdesin dhe të luftojnë në një luftë që afganët nuk janë të gatshëm të luftojnë për veten e tyre”, thotë ai.

Biden: I thashë Ghanit të negociojë

Presidenti amerikan tha se qeveria afgane nuk ndoqi këshillën e tij për të negociuar për një zgjidhje politike me talebanët.

“Zoti Ghani këmbënguli se forcat afgane do të luftonin. Por padyshim që ai kishte gabuar”.

Biden mbron evakuimet e vonuara

Duke iu përgjigjur kritikave se SHBA nuk veproi aq shpejt sa të evakuonte civilët afganë të kërcënuar, ai thotë se arsyeja e vonesës ishte e dyfishtë.

“Afganët nuk donin të largoheshin më herët”, tha ai.

Arsyeja tjetër ishte se zyrtarët afganë nuk donin të shkaktonin një “krizë besimi” që do të ndodhte nëse fillonin evakuimet masive, thotë Biden.