Pak ditë më parë presidenti i Kinës, Xi Jinping përmes një letre të dërguar në ambasadën në Berlin, kërkoi që e përditshmja gjermane “Bild” të kërkonte falje për shkrimet dhe sulmet në adresë së qeverisë kineze për çështjen e pandemisë së koronavirusit dhe përballimin e saj. Por e kundërta ka ndodhur.
Drejtori i “Bild”, Julian Reichelt ka reaguar menjëherë pas kësaj, por nuk është një kërkim falje për shkrimet, por e kundërta. Reichelt ka nisur një tjetër kundërsulm me 5 pika ndaj ekzekutivit kinez, duke e akuzuar atë si përgjegjës për daljen e koronavirusit nga një laborator në Wuhan.
“I dashur presidenti Xi Jinping”, fillon drejtori i “Bild” në një video të përkthyer dhe në gjuhën kineze, që i është dërguar dhe ambasadës së këtij vendi në kryeqytetin gjerman.
“Ambasada juaj më dërgoi një letër të hapur sepse në gazetën tonë shkruajtëm që do të ishte e drejtë t’i kërkonim Kinës të paguajë për dëmin e madh ekonomik që është shkaktuar nga përhapja e koronavirusit në të gjithë botën. Ju lutem më lejoni t’iu përgjigje”, nis deklarata e Reichelt.
“Pikë së pari, ju qeverisni me mbikëqyrje dhe kontroll. Ju nuk do të ishit president pa këtë lloj kontrolli. Mbyllët të gjithë gazetat dhe faqet e internetit që kritikuan reagimin tuaj për pandeminë, por jo shitësit ambulantë që shesin supën e lakuriqit të natës. Ju jo vetëm që i kontrolloni qytetarët tuaj, por i vendosni ata në rrezik, së bashku me pjesën tjetër të botës.
Së dyti, mbikëqyrja është një shkelje e lirisë. Dhe një vend që nuk është i lirë nuk mund të jetë kreativ, është një komb që nuk është inovativ dhe nuk krijon asgjë. Ja përse e keni kthyer Kinën në një ndër ekspertët më të mëdhenj të vjedhje së pronësisë intelektuale. Kina pasurohet me shpikjet e të tjerëve dhe jo të sajat. Arsyeja përse në Kinë nuk ka krijime, shpikje të reja dhe nuk ka inovacion është sepse iu nuk i lejoni të rinjtë e vendit të mendojnë lirisht. Gjëja më e madhe që keni eksportuar ndonjëherë dhe që askush nuk e donte ishte koronavirusi.
Së treti, ju, qeveria juaj dhe shkencëtarët e dinit prej kohësh që koronavirusi ishte shumë infektues, por e latë pjesën tjetër të botës në errësirë. Ekspertët tuaj nuk u përgjigjën kur kërkuesit perëndimor kërkonin të informoheshin me atë që po ndodhte në Wuhan. Ishit shumë krenar dhe nacionalist për të pranuar të vërtetën. Mendonit se bëhej fjalë për një fatkeqësi kombëtare që në fakt u transformua në një tragjedi globale.
Së katërti, Washington Post raportoi se në laboratorët tuaj në Ëuhan kanë bërë kërkime mbi koronavirusin tek lakuriqët e natës pa pasur siguri në nivelet e nevojshme. Përse laboratorët tuaj toksikë nuk janë të sigurta ashtu si burgjet për të burgosurit politikë? Mund t’ua shpjegosh vejushave në zi, fëmijëve, burrave dhe prindërve të viktimave në të gjithë botën?
Së pesti, në vendin tuaj, populli e ka vënë në diskutim pushtetin tuaj, ai po shembet. Keni krijuar një Kinë të papërshkueshme dhe jo transparente. Përpara Covid-it Kina ishte njohur si shtet mbikëqyrës. Tashmë është një shtet që ka infektuar të gjithë botën me një sëmundje vdekjeprurëse. Kjo është trashëgimia juaj politike. Ambasada juaj thotë që nuk jam në lartësinë e traditës së miqësisë mes dy popujve tanë. Imagjinoj që quan miqësi atë që dërgon maska në të gjithë botën. Kjo nuk është miqësi. Do ta quaja imperializëm të fshehur pas një buzëqeshje, një “Kalë Troje”. Mendon të forcosh Kinën me një sëmundje që eksportuat. Nuk do t’ia dilni. Koronavirusi, herët apo vonë, do të jetë fundi yt politik”, deklaron drejtori i “Bild”.