Bota Bolivi/ 1.2 milionë hektarë pyje në flakë, presidenti shuan vetë zjarret

Bolivi/ 1.2 milionë hektarë pyje në flakë, presidenti shuan vetë zjarret

Zjarret kanë shkatërruar 1.2 milionë hektarë pyje dhe tokë në Bolivi, këtë vit dhe zjarrfikësit janë të angazhuar në një luftë të ethshme me flakët.

E mes tyre, ka përveshur mëngët edhe vetë presidenti bolivian, Evo Morales, që është hedhur në linjën e parë, pavarësisht se i shoqëruar edhe nga kamerat e televizioneve.

Presidenti majtist, pezulloi të hënën fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e ardhshme, për të drejtuar reagimin e qeverisë pas katastrofës ambientale në përshkallëzim në pjesën boliviane të Amazonës, ku zjarret po zhurisin pemë e bimësi që prej majit. Morales është përballur me jo pak kritika për shkak të dështimit të tij në reagim por edhe për politikat e ndjekura prej tij që për kritikët, kanë favorizuar shpyllëzimin.

Qeveria, fajëson për zjarret motin e thatë dhe erërat e forta. Qeveria e Moralesit ka plane për të mbjellë 4.5 milionë hektarë pyje deri në 2030, për të përmbushur angazhimet e marra përsipër prej saj para Kombeve të Bashkuara.