Me më shumë se 3 milionë efektivë, 4800 baza në 7 kontinente dhe një buxhet vjetor më të madh se 700 miliardë dollarë, ushtria e Shteteve të Bashkuara konsiderohet si forca luftarake më e madhe e botës.
Por cilat janë disa nga mjetet luftarake më të rëndësishme të këtij potenciali ushtarak?
Avionët bombardues B-52: Të martën, pas përshkallëzimit të krizës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit një zyrtar amerikan tha se 6 prej këtyre avionëve masivë me tetë motorë do të dërgoheshin në bazën ajrore “Diego Garcia” në oqeanin Indian. SHBA ka në përdorim 75 avionë të tillë, të cilët të gjithë bashkë mund të mbajnë 35 tonë armatime, përfshirë bomba, mina dhe predha. Avionët B-52 u futën fillimisht në përdorim në vitin 1952 dhe përgjatë viteve janë modernizuar.
Avionët bombardues B-2: I ngjashëm me një lakuriq nate, këto avionë kanë kapacitete bërthamore, përveç armatimeve të zakonshme. SHBA ka 20 avionë të tillë, që normalisht qëndrojnë në bazën “Whiteman” në Mizuri, por mund edhe të stacionohen në baza të tjerë, si ajo “Diego Garcia”, ose në Guam. B-2 mund të mbajë dy bomba GBU-57, bombat më të mëdha jobërthamore pjesë të arsenalit amerikan. Këto bomba të gjata 9 metra dhe me peshë 13607 kg mund të shkatërrojnë komplekse të mëdha ushtarake. Avioni është testuar në konfliktet në Siri dhe Afganistan.
Bombarduesi B-1: SHBA ka në dispozicion 60 avionë të tillë, të cilët mund të mbajnë mbi 34 mijë kg armatime. Bombat e lëshuara nga B-1 mund të arrijnë me një saktësi tepër të lartë objektivin, jo më larg se 5 metra nga shënjestra e programuar.
Avionët luftarakë F-22: SHBA ka rreth 180 të tillë. I konsideruar si avioni më i mirë luftarak në botë, F-22 ka aftësinë të mos kapet nga radarët e kundërshtarit dhe të lëshojë predha të telekomanduara.
Nëndetëse: SHBA ka dhjetëra nëndetëse që mund të godasin me predha “Tomahawk” objektiva në det dhe tokë. Më të fuqishmet janë nëndetëset “Ohio-class”, si USS Michigan, e cila mund të mbajë deri në 154 predha të tilla. Secila prej këtyre predhave, me peshë 453 kg, mund të godasë objektivin deri në 1609 kilometra larg. Nëndetësja ka edhe një sistem drejtimi që lejon predhën të ndryshojë shënjestër pasi është lëshuar
Aeroplanmbajtëset: SHBA ka në flotën e saj 11 anije të tilla, 10 “Nimitz-class” dhe një “Ford-class”, por vetëm 4 prej tyre janë të gatshme të përfshihen në një betejë. Që nga e hëna, aeroplanmbajtësja “USS Harry Truman” është parë në Lindjen e Mesme. Ajo, dhe të tjerat, mund të mbajnë 60 avionë luftarakë, si F/A-18, të cilët mund të largohen deri në 2300 kilometra. Secili avion mban 2 predha ajër-tokë.