Bota Borë dhe acar, në SHBA priten Krishtlindjet më të ftohta në 4...

Borë dhe acar, në SHBA priten Krishtlindjet më të ftohta në 4 dekada

Lope duke ecur ne mes te bores ne Dakoten e Jugut ne SHBA

Një stuhi e fuqishme dimërore që përfshin këtë javë Shtetet e Bashkuara, mund të sjellë Krishtlindjet më të ftohta në 4 dekada.

Vala e të ftohtit, që sipas ekspertëve vjen një herë në gjeneratë, nisi në veriperëndim të paqësorit të enjten, para t’i drejtohet lindjes ku do të shndërrohet në një “ciklon bombë” ditën e premte.

Më shumë se 90 milionë njerëz janë paralajmëruar për mot të keq në 37 shtete. 80 përqind e tyre, pritet të përjetojnë temperatura të acarta disa gradë nën zero, përfshirë edhe shtetet në jugun e largët, të tilla si Teksas.

Bore ne Dakoten e Jugut ne SHBA

E pagëzuar si stuhia dimërore Elliot, shpërthimi arktik pritet të sjellë Krishtlindjet më të ftohta për zonën e Midwest, që prej fundit të viteve 80-të. Edhe shteti i diellit, Florida, parashikohet të ketë festat më të ftohta në 30 vite. Stuhia pritet të sjellë erëra të fuqishme dhe reshje të dendura bore, duke vështirësuar kushtet e udhëtimit në prag të Krishtlindjeve.

Shumë kompani ajrore po u ofrojnë pasagjerëve fluturime alternative, në zonat që pritet të preken më së shumti. Qindra fluturime nga Denver në Çikago janë anuluar.

Në Denver termometri shënoi -26 gradë celsius këtë të enjte ndërsa Çikago është paralajmëruar të përgatitet për reshje të dendura bore.