Bota Bota tani pret të shohë…

Bota tani pret të shohë…

Mijëra vetë, mes tyre dhe Kryeministri i Irakut Adel Abdel Mahdi, morën pjesë të shtunën në ceremoninë e varrimit të gjeneralit iranian Qassem Soleimani, komandantit të lartë irakian Abu Mahdi al-Muhandis si dhe tetë udhëheqësve të tjerë ushtarakë irakianë.

Ata u vranë të premten nga një sulm ajror amerikan. Objektiv i sulmit ishte gjenerali iranian Soleimani.

Shumë nga personat që morën pjesë në ceremoninë e varrimit të së shtunës ishin veshur me të zeza. Disa prej tyre thërrisnin “Vdekje Amerikës”.

Uashingtoni ka mbyllur ambasadën në Bagdad dhe ka urdhëruar qytetarët amerikanë të largohen nga vendi.

Disa shpërthime, për të cilat mungojnë detajet, u raportuan gjatë varrimit të gjeneralit pranë ambasadës amerikane në Bagdad dhe në një bazë ushtarake.

Bota tani pret të shohë…

Janë ngritur mjaft pikëpyetje rreth nivelit të tensioneve që kjo ngjarje do të krijojë mes dy vendeve.

“Qassem Soleimani ishte njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran. Asnjë komandant ushtarak, asnjë politikan nuk kishte fuqinë që kishte ai”, thotë Mehdi Parpanchi, Drejtor i Radio Fardas.

Presidenti Trump tha se ai e urdhëroi sulmin që të ndalonte një luftë dhe jo për të niste një të tillë, siç u shpreh ai.

Por udhëheqësit botërorë i druhen shpërthimit të luftës në rajon.

Bota tani po pret të shohë nëse Irani do të hakmerret, ndërsa udhëheqësit e tij po kërcënojnë me përgjigje të ashpra.

Shtetet e Bashkuara dërguan një kontigjent prej 750 trupash shtesë në rajon që në fillim të kësaj jave.

Zyrtarët e mbrojtjes i thanë Zërit të Amerikës se pjesa tjetër e kësaj brigade, rreth 3,000 ushtarë të tjerë, do të dislokohen në Lindjen e Mesme në orët e ardhshme të kësaj të diele.

NATO pezullon trajnimet në Irak, por jo misionin

Soleimani ishte kreu i forcës elitë iraniane Quds dhe udhëheqës strategjik i Teheranit në rajon.

Pas vrasjes së tij, NATO ndërkohë ka pezulluar trajnimet në Irak. Njoftimi u bë të shtunën nga një zëdhënës i aleancës.

“Siguria e personelit tonë në Irak është parësore“, tha Dylan White.

Misioni i NATO-s tha ai vazhdon, por trajnimet janë pezulluar përkohësisht.

Misioni NATO në Irak përbëhet nga një personel prej disa qindra vetësh nga vendet aleate dhe ato jo-anëtarë të NATO-s.

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA hedh poshtë njoftimet për një sulm të ri në Irak

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që lufton kundër Shtetin Islamik, bëri të ditur të shtunën se nuk ka kryer sulme ajrore pranë kampit Taji në veri të Bagdadit.

Ushtria irakiane hodhi poshtë gjithashtu njoftimet për një sulm ajror ndaj një autokolone me ndihmë mjekësore në Taji.

Më herët të shtunën, Forca e Mobilizimit Popullor të Irakut, grupi ombrellë i grupimeve para-ushtarake, tha se si pasojë e sulmeve ajrore pranë kampit Taji ishin vrarë gjashtë persona dhe plagosur rëndë tre të tjerë.

Sipas televizioni shtetëror irakian, sulmet ajrore ishin kryer nga forcat amerikane.

Por në një postim në twitter një zëdhënës i koalicionit shkruan: “FAKT: Koalicioni … nuk ka kryer sulme ajrore pranë kampit Taji (në veri të Bagdadit) ditët e fundit“.

Presidenti Trump ende larg nxjerrjes së Amerikës nga “luftërat pa fund”

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi fushatë elektorale me premtimin se do t’i nxirrte Shtetet e Bashkuara nga ato që i quajti “luftëra pa fund”.

Por sot më shumë ushtarakë amerikanë ndodhen në Lindjen e Mesme, krahasuar me periudhën përpara se zoti Trump të merrte detyrën.

Trazira nisën në Sirinë verilindore, pasi Trump tërhoqi papritur forcat amerikane në muajin tetor, duke e lënë rajonin të hapur për ofensivën turke ndaj kurdëve.

Javë më vonë, një raport i Pentagonit tregoi se vendimi për t’u tërhequr, i dha Shteti Islamik një mundësi për t’u ringritur.

Trump i zhvendosi forcat ushtarake nga Siria drejt Irakut, por la pas disa qindra prej tyre, për të mbrojtur fushat e naftës nga Shteti Islamik.

Dy mijë forca janë tërhequr ndërkaq edhe nga Afganistani, ndërsa mbeten atje 12 mijë të tjera ende, ndërkohë që “bisedimet për paqe” me talebanët po vazhdojnë.

Presidenti ka dërguar tre mijë forca në Arabinë Saudite, pas sulmit në shtator ndaj infrastrukturës së naftës, për të cilat Riadi fajëson Iranin.

Muaj më herët ai kishte vendosur veton ndaj një përpjekjeje dypartiake në Kongres për t’i dhënë fund mbështetjes së Uashingtonit për luftën e sauditëve në Jemen.

Kritikët thonë se këto lëvizje së bashku nuk paraqesin një politikë të jashtme të qartë.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë 28 mijë forca ushtarake në Korenë e Jugut si kundërpeshë ndaj fqinjit verior.

Bisedimet e Presidentit Trump me Kim Jong Unin nuk arritën të ndalin testimet e raketave.

Përafërsisht janë rreth 200 mijë forca amerikane që shërbejnë nëpër botë, nga një total prej 1.3 milionë anëtarësh të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara.