Brazili vazhdon të goditet nga dëmtimet. Ka përfunduar Botërori për Gabriel Jesus dhe Alex Telles, sulmuesin dhe mbrojtësin e krahut të majtë. Të dy dolën para kohe nga ndeshja me Kamerunin, ndërsa analizat e sotme kanë sjellë lajme të këqija për trajnerin Tite.
Të dy këta lojtarë kanë dëmtuar gjurin e djathtë. Sulmuesi i Arsenalit duhet të qëndrojë jashtë një muaj, ndërsa dëmtimi i mbrojtësit të Seviljes është më serioz, ai rrezikon operacionin. Me Gabriel Jesus dhe Telles shkon në 5 numri i lojtarëve të dëmtuar te Brazili, pas Neymarit, Danilos dhe Alex Sandros.
Më shumë se humbja me Kamerunin, te Seleçao shqetësojnë dëmtimet. Gabriel Jesus dhe Telles e kanë mbyllur Botërorin, Neymar mbetet në dyshim të fortë, por Tite mund të buzëqeshë për rikuperimin e Danilos.
Ndaj Koresë së Jugut pritet të jetë gati edhe Alex Sandro, i cili është i vetmi mbrojtës i majtë që mbetet në skuadër, pas dëmtimit të Telles. “Për Neymar dhe Alex Sandro, – ka thënë doktori Rodrigo Lasmar, – dua të them se do të shohim si do të reagojnë kur ata të fillojnë të stërviten me topin”.