Ekonomi BSH: Presim normalizim të kursit të këmbimit

BSH: Presim normalizim të kursit të këmbimit

Banka e Shqipërisë vlerëson se kursi i këmbimit gjatë kësaj periudhe do të qëndrojë i stabilizuar rreth nivelit 124.5 Lekë.

Parashikimet për uljen e presioneve mbi monedhën vendase, Banka Qendrore i ka bërë në raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të këtij viti.

“Në përputhje me kohëvonesat e veprimit, ndikimi i kursit të këmbimit pritet të kulmojë gjatë vitit 2019 dhe të shuhet më tej”, thotë raporti.

Mësohet se gjatë kësaj periudhe, programi i ndërhyrjeve në treg përmes operacioneve për zbutjen e efektit të mbiçmimit të Lekut nuk ka qenë aktiv, por ende Këshilli Mbikëqyrës nuk vendosur ndërprerjen e kësaj nisme.

Pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë pret një rikthim të inflacionit në nivelin optimal 3% brenda vitit 2020.

Kërcënimi i një norme të ulët të inflacionit si rezultat i rënies së çmimit të mallrave të importit për shkak të dobësimit të Euros, detyroi Bankën që në Qershorin e vitit të shkuar të niste planin e blerjes në treg të monedhës Euro.

Aktualisht Euro këmbehet me 124.36 Lekë, duke pësuar një rritje me 0.03%, krahasuar me një ditë më parë. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë pritet të marrë një vendim edhe për rritjen e normës së interesit për lekun, e cila sot është në nivelin më të ulët historik prej 1%.