Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë një thirrje të hapur magjistratëve të kualifikuar, për të aplikuar dhe për të shërbyer në institucionet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, si edhe Këshillit të Lartë të Prokurorëve, pak ditë nga fundi i afatit të aplikimeve.
Data 4 shtator është afati i fundit për të aplikuar për të gjithë magjistratët e kualifikuar që duan të shërbejnë në KLGJ apo KLP.
Ambasada amerikane në Tiranë u bën thirrje magjistratëve të mos e humbasin këtë mundësi, duke theksuar se është një moment shumë i rëndësishëm për drejtësinë shqiptare.
“Ky është një çast i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri për të siguruar përparim të vazhdueshëm dhe ruajtjen e parimeve përcaktuese të reformës në drejtësi. Mos e humbisni mundësinë për të dhënë kontribut në një reformë në drejtësi që është efektive, transparente dhe e drejtë – në emër të kolegëve tuaj magjistratë dhe qytetarëve shqiptarë”, thuhet në apelin Ambasadës.
Një javë më parë, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, ka zbardhur sot zyrtarisht listën emërore të kandidatëve, të cilët kanë aplikuar për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Tre grupimet e mëdha të aplikantëve, përfshijnë ata të ardhur nga fusha e avokatisë, shoqërisë civile, si edhe anëtarë të Komisionit të Shoqërisë Civile.
Ata do të kryejnë verifikimin paraprak të kandidaturave për anëtarin që përfaqëson shoqërinë civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Pavarësisht listës së publikuar, theksohet në njoftimin e Avokatit të Popullit se mundet të ketë edhe emra të shtuar, të cilët mund t’i bashkëngjiten aplikantëve, nëse e kanë dërguar aplikimin e tyre brenda afatit të përcaktuar sipas rregullores.