Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin do të vijojë të qëndrojë në krye të futbollit europian edhe për 4 vitet e ardhshme, pasi u rizgjodh për një mandat të dytë në krye të trupës qeverisëse gjatë punimeve të Kongresit të 43-të të Zakonshëm të UEFA-s në Romë.
Slloveni, 51 vjeç, i cili u zgjodh presidenti i shtatë i UEFA-s në shtator të vitit 2016, u konfirmua me votë unanime këtë të enjte, nga delegatët e 55 federatave anëtare të UEFA-s, si dhe u zotua se “uniteti, shpresa, respekti dhe solidariteti” do të ishin elementët kyç në strategjinë, misionin dhe aktivitetet e UEFA-s gjatë mandatit të ri presidencial të tij.
“Futbolli europian, – tha Ceferin, – duhet të mbetet respektues, i respektuar dhe i nderuar. Faleminderit sërish që më besuat. Jam i emocionuar dhe i nderuar njëkohësisht”.
Ceferin këmbënguli se, pavarësisht sukseseve të fundit dhe zhvillimeve pozitive, veçanërisht në lidhje me frymën e unitetit që ka mbizotëruar anembanë futbollit europian, UEFA nuk do të heqë dorë nga përmbushja e rolit të saj si trupa qeverisëse e futbollit në kontinentin e vjetër.
Presidenti i UEFA-s ritheksoi statusin e rëndësishëm të turneve madhore për ekipet kombëtare në Europë, si Europiani apo Liga e Kombeve, me këtë të fundit që ofron garanci për sukses, ndërsa Euro 2020, që do të zhvillohet në 12 qytete në mbarë Europën gjatë verës së ardhshme, do të japë një mesazh të fuqishëm jo vetëm për të apasionuarit pas futbollit, por edhe Europës si e tërë: mesazhin për një kontinent të hapur, tolerant dhe të bashkuar!
Jo Superligë
Aleksander Ceferin “ka vrarë” përfundimisht edhe idenë për një Superligë europiane, ku do të merrnin pjesë vetëm klubet më të mëdhenj në Europë (16 klube, 11 prej të cilëve me ftesë të garantuar për 20 vite), për të ndërtuar një kompeticion të ri, ku natyrisht synimi kryesor do ishte arkëtimi i milionave pa fund.
Klubet më të mëdha europiane do humbnin dashurinë e popullit, nëse do vijonin me planin për krijimin e një Superlige europiane: “Rreziku i krijimit të një Superlige europiane është larguar përfundimisht, pas diskutimeve të ndershme, direkte dhe pa kompromis mes UEFA-s dhe klubeve. Në 2016 duket se klubet europiane po mendonin shkëputjen nga UEFA, por kemi diskutuar, kemi dëgjuar njëri-tjetrin dhe jemi kuptuar, duke u bashkuar sërish.
Për sa kohë unë jam president i UEFA-s dhe Andrea Agnelli është kreu i Shoqatës Europiane të Klubeve, nuk do të krijohet asnjë Superligë. Nuk është premtim, është fakt. Nëse Superliga do të krijohej, klubet e mëdhenj do të humbnin gjithçka madhështore që kanë dhe do u mbetej vetëm e shkuara. Në futboll duhet respektuar më shumë rezultati në fushë, piramida e futbollit, ngjitja dhe zbritja nga kategoria, para llogarive financiare”.