Ekonomi Çfarë po ndodh me dyqanet që po mbyllen tek “Myslym Shyri”? Flet...

Çfarë po ndodh me dyqanet që po mbyllen tek “Myslym Shyri”? Flet pronarja e një prej tyre

Shumë biznese do ta kenë të vështirë që të rikthehen për shkak të situatës që krijoi Covid dhe asaj që pritet të vijë. Nga 1 maji në 14 korrik, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 54% me bazë vjetore.

Sipërmarrësit shprehen se mungesa e tregut dhe klientelës po i detyrojnë të mbyllin aktivitetin. Më të prekur nga kriza janë bizneset e pakonsoliduara, të ngritura 5 muaj apo 1 vit para pandemisë.

Nga vëzhgimi i “Monitor”, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ku ndodhen një numër i madh biznesesh, aktualisht shumë dyqane janë të mbyllura, sidomos ato të tregtimit të parfumeve, veshjeve, luleve natyrale, materialeve të ndërtimit dhe Fast-Food.

Dy dyqanet e veshjeve të markës “Breezy” në Tiranë, ai në rrugën “Myslym Shyri” dhe në QTU, u mbyllën për shkak të krizës nga COVID-19, ndërsa 13 punonjës dolën të papunë. Administratorja e kompanisë GFU-Al, Nereida Prezja, thotë pse e kaloi në pasiv aktivitetin e shitjes së veshjeve të markës sportive.

“Mbyllja e dyqaneve erdhi drejtpërdrejt për shkak të krizës nga COVID-19. Furnizimi me mallrat e sezonit të pranverës, që u ble në muajin shkurt, mbeti stok për shkak të karantinës dhe nuk arritëm t’i shisnim. Nga shteti nuk patëm asnjë ndihmë, qiratë dhe detyrimet i kemi paguar të gjitha. Ndjekjen e shitjeve online e kryejmë nga një kompani zyrtare e huaj, që na shpjegoi se gjatë karantinës, më shumë janë shitur makinat e qethjeve që përdorin berberët dhe enët e kuzhinës, ndërsa interesi për veshjet nuk ishte i lartë. Edhe pas hapjes të ekonomisë, nuk kishte treg, asnjë shitje në dyqan. Nëse nga shteti do të kishim të njëjtat mbështetje për biznesin, siç mori vëllai dhe motra ime që jetojnë në Gjermani dhe në Itali, ne do të arrinim të mbijetonim”, tha ajo.

Roza nga Durrësi, në janar të këtij viti, mori një ambient me qira në rrugën “Myslym Shyri” për shitjen e luleve natyrale. Në gati 3 muaj pezullim aktiviteti, dëmet ishin të konsiderueshme, pohon ajo, pasi të gjithë lulet që kishte marrë ishin vyshkur.

“Pas hapjes së dyqanit nga fundi i muajit prill po punoj vetëm për shlyerjen e qirasë, 750 euro në muaj, dhe për detyrimet. Nëse më përpara një qytetar shpenzonte 3000 lekë për një buqetë lule për funeral, sot nuk shpenzon më shumë se 1,500 lekë. Gjithashtu, gjatë stinës së verës, dyqanet e luleve nuk kanë shumë punë, pasi shumë njerëz zgjedhin që ditëlindjet t’i bëjnë në Jug të Shqipërisë, por në periudhë normaliteti rënia e shitjeve kompensohet me shitjet e luleve për dasma. Puna për shitjet e luleve të dasmave niste që të enjten e deri të dielën. Ndalimi i tyre na ka penalizuar”, thotë ajo.

Zonja Roza thotë se do të presë se çfarë do të ndodhë deri në shtator dhe më pas do të vendosë nëse do të vijojë apo jo aktivitetin.

Ndërkohë sipas INSTAT, bizneset e vogla kishin filluar të mbylleshin para krizës së Covid-19. Vit pas viti, numri i ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar po vjen në rënie, si rrjedhojë e konkurrencës nga qendrat tregtare, zinxhirët e mëdha të supermarketeve, orientimin e blerjeve online si dhe rënies së konsumit. Në 2019-n u mbyllën rreth 4,300 biznese, shumica e tyre në tregti dhe akomodim dhe shërbim ushqimor, sipas INSTAT./ Burimi Monitor