Opinione Çfarë rrezikon Donald Trump pas 20 janarit

Çfarë rrezikon Donald Trump pas 20 janarit

The Economist

Donald trump, i ka harxhuar dy muajt e fundit që nga humbja e tij elektorale, duke u përpjekur shumë, por duke mos arritur të përmbysë dot rezultatet. Psikiatrit thonë se frika e përjetshme e Trump nga të parit si një humbës,është ajo që e ka frymëzuar më së shumti betejën e tij kundër demokracisë.

Por me gjasë është i mundur edhe një motiv tjetër:mesditën e 20 janarit, mburoja ligjore që ka përdorur Trump për të shmangur proceset gjyqësore do të zhduket, duke e ekspozuar atë ndaj një rreziku të madh përballjesh me një mori padish civile dhe penale në gjykatë.

Problemi më serioz me të cilin përballet Trump mund të jetë në ish-qytetin e tij të lindjes, ku prokurori i qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance, ka hetuar së fundmi mbi disa krime të mundshme financiare, përfshirë pagesat e pretenduara të Trump për një yll të filmave pornografikë dhe një modele të Playboy në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit

Ish-avokati i Trump, Michael Cohen, aktualisht nën arrest shtëpiak për shkak të gënjeshtrave që tha në Kongres dhe për krime të tjera, përfshirë shkeljet në ligjin për financimin e fushatës elektorale, thotë se ishte shefi i tij i dikurshëm që e udhëzoi të paguante Stormy Daniels dhe Karen McDougal, për të parandaluar zbulimin e lidhjeve të tij jashtëmartesore, që mund të kishin dëmtuar garën e tij presidenciale.

Si pjesë e hetimit të tij, Vance shqyrtoi disa regjistra financiarë dhe dokumente tatimore të marra nga “Mazars USA”, kompania që bën kontabilitetin e bizneseve të zotit Trump. Presidenti në largim bëri një padi në gjykatë për t`a parandaluar këtë kontroll, por humbi në të gjitha gjykatat.

Ai e apeloi çështjen, dhe në korrik 2020, një shumicë në Gjykatën e Lartë(një votim 7 me 2), vendosi se “publiku ka të drejtë të mësojë të dhënat e çdo njeriu”, duke përfshirë ato të presidentit. Por ndërsa gjykatësit refuzuan pretendimin e Trump se presidentët kanë imunitet të plotë nga hetimi penal, ata i dhanë atij një “kamerdare” shpëtimi: një shans më shumë për të pasur argumente më pak të çuditshme kundër thirrjes në gjykatat e nivelit të ulët.

Trump nuk doli më mirë në raundin e dytë, por Gjykata e Lartë trajtoi apelimin e kësaj çështje për 3 muaj, duke mos i dhënë mundësi prokurorit që të shtjerë në dorë dokumentet tatimore. Por Vance duket i gatshëm të heq dorë vetëm nëse Gjykata e Lartë do të hedhë plotësisht poshtë ankesën e tij.

Disa vëzhgues mendojnë se kjo mund të ndodhë pikërisht tani kur Trump po largohet nga qyteti. Por sërish, pasojat mund të jenë serioze për të kur të rikthehet të jetë një qytetar privat.  Zyra e zotit Vance ka sugjeruar që hetimi mund të shkojë shumë më thellë sesa thjesht fitimet e presidentit.

Nëse gjenden prova, akuzat e mundshme mund të jenë ato për mashtrim, falsifikim të regjistrave të biznesit, mashtrime të kompanive të sigurimeve. Dhe disa nga këto janë krime që parashikojnë dënime deri në 25 vjet burg.

Nëse Trump apo anëtarët e familjes së tij, mund të përballen apo jo me një padi penale, kjo është ende e paqartë. Tani për tani, gjithçka që dimë është se Trump luftoi me shumë kujdes për t’i mbajtur financat e tij larg duarve të prokurorëve, dhe së shpejti ato mund të shqyrtohen nga një juri e madhe.

Problemet e tjera që e presin Trumpin në Nju Jork mund t’i kushtojë jo pak para, në mos edhe lirinë e tij. Bazuar në dëshminë e Michael Cohen në Kongres, Prokurorja e Përgjithshme se Nju Jorkut, Letitia James, po heton ato që ajo thotë se mund të jenë praktika mashtruese të biznesit,përmes së cilave presidenti dhe Organizata Trump frynin vlerën e pasurive të tyre kur aplikonin për kredi nëpër banka, dhe zvogëlonin vlerën e tyre për t’iu shmangur detyrimit tatimor.

Organizata Trump thotë se hetimi i zonjës James është i motivuar politikisht. Djali i Donald Trump, Eric, numri 2 i kompanisë, e ka cilësuar atë si një “gjueti shtrigash anti-Trump”, një akuzë që është përsëritur nga vetë presidenti në ikje.

Më shumë padi civile janë në pritje në Nju Jork, përfshirë pretendimet e E.Jean Carroll, një ish-analiste në media dhe Summer Zervos, konkurrente në shfaqjen “The Apprentice”. Zonja Carroll rrëfeu se në vitin 2019 Trump e përdhunoi atë në dhomën e zhveshjes së një dyqani në Manhatan.

Zervos pretendon se Trump e ngacmoi seksualisht atë gjatë xhirimeve të emisionit. Që të dyja janë përballur me padi për shpifje nga presidenti, që i quajti gënjeshtare. Pak çaste pas fajësimit të tij të dytë më 13 Janar, zonja Carroll shkroi në Twitter: “Trump e shqeu demokracinë tonë. Unë do t`a bëj copa-copa në gjykatë!”.

Baza e fajësimit (impeachment) të Trump javën e kaluar – nxitja e kryengritjes ndaj Capitol-it – mund të përfshijë gjithashtu ligjin e qarkut të Kolumbias, si dhe një statut penal federal. Bindja e dikujt për të përdorur “forcën fizike kundër personit ose pronës së tjetrit”është një krim federal.

Dhe sipas ligjit në Uashington, nxitja e trazirave përbën një krim. Megjithatë, duke pasur parasysh hapësirën e gjerë për fjalën e lirë në Amendamentin e Parë, mund të jetë e vështirë të ngrihen akuza penale. Testi do të jetë nëse akuza do të provojë që Trump është fajtor për nxitjen e një veprimi specifik të paligjshëm, në krahasim me thjesht nxitjen e përgjithshme.

Gjithashtu, Trump rrezikon të paditet edhe për telefonatën 1-orëshe që zhvilloi me sekretarin e shtetit të Xhorxhias më 2 janar. Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë në Uashington (CREW), një organizatë jo-qeveritare i kanë kërkuar Departamentit të Drejtësisë dhe prokurorëve të Xhorxhias të hetojnë përpjekjen e Trump për të gjetur gati 12.000 vota, që do t’i jepnin tij fitoren rreth 3 javë pasi Kolegji Zgjedhor konfirmoi fitoren e Jo Biden.

Në ditët e tij të fundit në detyrë, Trump mund të tundohet të falë veten përmes një dekreti presidencial. Asnjë president nuk e ka provuar zyrtarisht ndonjëherë këtë gjë, edhe pse Richard Nixon e mendoi në vitin 1974. Falja e vetvetes mund të jetë në kundërshtim me instinktet e Trump, pasi kjo do të kërkonte që ai të rrëfejë mbi shkeljet e mundshme të ligjit.

Por kjo strategjia mund t’i kthehet në bumerang, nëse gjykatat përfundojnë se vetë-faljet janë antikushtetuese. Më pas për Trump mund të paraqitet një listë e detajuar e krimeve të mundshme, që duhet të hetohen nga prokurorët. Në çdo rast, lehtësimi nga ndjekja penale federale, nuk do ta shpëtonte përfituesin e faljes nga përballja me drejtësinë për shkak të shkeljes së ligjeve shtetërore.