Sport Chiellini nuk kursehet: Balotelli negativ, Melo më i keqi i të këqijve

Chiellini nuk kursehet: Balotelli negativ, Melo më i keqi i të këqijve

Mbrojtësi dhe kapiteni i Juventusit Giorgio Chiellini është një nga ata që nuk fal në fushën e lojës, por të njëjtin “metër” ka përdorur edhe në librin e tij autobiografik, ku ka përshkruar pa doreza emra të njohur të futbollit.

“Unë Giorgio” titullohet libri i mbrojtësit bardhezi, që nuk është rezervuar aspak ndaj sulmuesit italian Mario Balotelli, të cilin e ka cilësuar një njeri negativ, që nuk mendon aspak për grupin, ndërsa as ndaj Felipe Melos nuk i ka kursyer fjalët.

“Mario Balotelli është një njeri negativ, pa respekt për grupin. Në një ndeshje të Kupës së Konfederatave në 2013-ën, nuk na ndihmonte për asgjë. Felipe Melo ishte më i keqi i të këqijve. Me të rrezikohej gjithmonë lufta. Ua kam thënë edhe drejtuesve, është një mollë e kalbur”, ka shkruar Chiellini në biografinë e tij.

Në një intervistë për “La Republica”, mbrojtësi i bardhezinjve ka deklaruar se nuk është aspak në siklet për përshkrimin që u ka bërë këtyre dy futbollistëve, të cilët sipas tij e kanë kaluar limitin e pranueshëm me sjelljen e tyre.

“Nuk kam mllef dhe as nuk më intereson të kem. Unë nuk jam miku më i mirë i kujtdo, por këta të dy i kanë kaluar limitet e pranueshme të sjelljes. Për mënyrën si i shikoj unë gjërat, problemi nuk është nëse luan mirë apo luan keq, por nuk e pranoj kur mungon respekti ndaj grupit”, tha futbollisti.

Sa i përket rivalitetit, Chiellini shkruan në biografinë e tij se di të ndajë mirë atë që ndodh në fushën e lojës, me jetën jashtë futbollit, ndërsa pranon se urimi më i veçantë pas dëmtimit ka qenë ai i Javier Zanettit.

“Kam ndarë gjithmonë atë që ndodh brenda fushës, me atë jashtë saj. Për shembull në fushë skuadra më e urryer është Interi, ndërsa jashtë fushe, kalojmë shumë mirë të gjithë. Urimi i Javier Zanettit pas dëmtimit ishte ai që më ka kënaqur më shumë”, shkruan ndër të tjera Chiellini.

Balotelli kundërpërgjigjet: Nuk je sjellë si burrë i vërtetë

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i sulmuesit italian, Mario Balotelli.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, Balotelli ka ironizuar me kapitenin e Juventusit, duke i kujtuar se po të ishte burrë i vërtetë, do t’ia kishte thënë në sy dhe shumë më herët këto mendime.

“Unë të paktën kam sinqeritetin dhe kurajën t’i them gjërat në sy. Ti që prej 2013-ës ke pasur shumë mundësi për t’i thënë këto dhe për t’u sjellë si një burrë i vërtetë, por nuk e bëre. Kush e di çfarë do thuash një ditë, për shokët aktualë të skuadrës, kapiten i çuditshëm. Nëse kjo do të thotë të jesh një kampion, atëherë preferoj të mos jem. Për fanellën e Italisë kam pasur gjithmonë respekt maksimal”, shkroi Balotelli.