Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kthyer në debat të fortë për klasën politike në Greqi.
Kreu i opozitës, ish-kryeministri Aleksis Cipras ka akuzuar kreun e qeverisë greke Kiriakos Micotakis se nuk ka votuar pro hapjes së negociatave në Samitin e Brukselit.
Gjithashtu sipas tij edhe eurodeputetët grekë të partisë që ai drejton Demokracia e Re nuk i kanë dhënë dritën jeshile rezolutës së miratuar në Parlamentin Europian të enjten për negociatat.
“Kryeministri grek Kiriakos Micotakis abstenoi në debatin vendimtar në Samitin e Brukselit, ku doli që Danimarka dhe Holanda kishin një rol dhe një fjalim më të rëndësishëm në Ballkan sesa Greqia. Deputetët e rinj të partisë Demokracia e Re abstenuan në votimin në Parlamentin Evropian për rrugën e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor“, tha Cipras.
Përfaqësuesi i qeverisë nuk e mohoi abstenimin ne samitin e liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel.
“Demokracia e Re nuk pajtohet me asnjë tekst që nuk adreson në mënyrë të qartë detyrimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek në Shqipëri. Për zotin Cipras këto janë të parëndësishme, por jo për grekët. Kjo është arsyeja pse edhe deputetët e Partisë Demokracia e Re abstenuan“, tha Stelios Pecas, zëdhënëse i qeverisë greke.
Dy ditë më parë kryeministri grek Kiriakos Micotakis deklaroi nga Selaniku se qëndrimi i Greqisë në samitin liderëve të BE ishte pro hapjes së negociatave për të dyja vendet.