Sport Largimi nga futbolli, a do të bëhet trajner, rrëfehet Chiellini

Largimi nga futbolli, a do të bëhet trajner, rrëfehet Chiellini

Kur tifozët bardhezinj mësuan për dëmtimin e tij të fundit, ata kuptuan se mbrojtja e Juventusit do të humbiste një lider për disa muaj, brenda dhe jashtë fushës. Giorgio Chiellini po punon për t’u rikthyer në pranverë, që t’i japë një dorë të mirë skuadrës për sprintin final të sezonit. Kapiteni ka kohë tani të mendojë për të ardhmen, që do ta shohë atë sërish në fushën e blertë. I intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”, ai zbuloi kohën e tërheqjes nga futbolli dhe atë që do të bëjë pasi “t’i varë këpucët gozhdë”:

“Edhe sa kohë do të luaj futboll? Nja dy vite, jo më shumë. Do të doja të kisha një karrierë menaxheriale pastaj, por do ta nis me qetësi të madhe. Mendoj se gabimi më i madh i futbollistëve, pasi karriera e tyre të ketë mbaruar, është të mendojmë se janë gati menjëherë për të bërë trajnerin a diçka tjetër në rol drejtuesi. Kur tërhiqesh, me fat janë ata që e bëjnë këtë mes 35 dhe 40 vjeç, mendon se i di të gjitha për futbollin, por më pas futesh në botën e punës, ku ata të moshës suaj kanë bërë të paktën 15 vite në një nivel të mirë.

Madje, nëse shkoni një hap më poshtë, ju gjeni njerëz që janë 10 vjet më të rinj se ju, por 10 me më shumë përvojë. Pra, keni një hendek për të kompensuar, duhet të jeni të vetëdijshëm për këtë. Mund të keni njohuri të rëndësishme nga një këndvështrim futbollistik, por në drejtim nevojiten edhe gjëra të tjera. Bërja e trajnerit a një roli tjetër drejtuesi në futboll është si një enigmë; korniza ka rëndësi jo më pak se përmbajtja. Ju nuk duhet të nxitoni. Mjafton të hidhni një hap në ditë, si në rehabilitimin e dëmtimeve…

Vendosja e një skuadre në fushë dhe stërvitja e saj gjysmë ore është e mirë për të gjithë. Hendeku nga fusha në drejtim nuk është i lehtë për t’u kompensuar, por jeta e një trajneri nuk më bën të çmendem. Tani, një skemë e mirë taktike nuk është më e mjaftueshme. Trajnerët duhet të jenë gjithmonë e më shumë psikologë, udhëheqës, motivues. Ata janë menaxherë si të një kompanie, që duhet të menaxhojnë të paktën 50, ose 60 persona. Trajningu është një jetë gjithëpërfshirëse. Përbën një profesion, me siguri, por që kërkon të përballosh presionin dhe të bësh sakrifica të çdo lloji. Një lloj përgjegjësie, të cilën e ndiej përbrenda vetes që tani”.

Champions

Liga e Kampionëve mbetet një obsesion për Chiellini dhe bardhezinjtë, pavarësisht faktit se vitet e fundit kanë shkuar dy herë në finale: “Çfarë na mungon për ta fituar Champions-in? Pak fat, me siguri, por edhe diçka tjetër: aftësia për t’i menaxhuar finalet ku kemi luajtur. Ne gjithmonë kujtojmë se Liga e Kampionëve ka 5-6 ekipe, që janë në të njëjtin nivel, shumë të lartë. Gjatë viteve të kaluara i kemi humbur përballjet në një mënyrë të guximshme: Bayern, Ajax, Real. Tri herë jemi eliminuar në atë mënyrë absurde. Në ciklin e pabesueshëm të Juves së këtyre viteve, diçka që ka hyrë në historinë e futbollit italian, vetëm kjo keqardhje mbetet, por nuk ka mbaruar…”

Dybala

Dybala mund të ndjekë gjurmët e të mëdhenjve të tjerë të së kaluarës, që kanë bërë historinë e Juventusit: “Ai pati mundësinë të largohej, por dëshiron ta bëjë kapërcimin e madh këtu. Unë nuk do të isha aq i befasuar nëse Paulo do të ndjekë gjurmët e Trezegue, Camoranesi, Nedved. Kjo është një rrugë e rëndësishme në historinë e Juventusit”.

Kombëtarja

Pavarësisht dëmtimit, kapiteni bardhezi mendon që tani për pjesëmarrjen në “Euro 2020” me Italinë: “A do të jem atje? Po, nëse nuk ndodh asgjë tjetër befasuese, ose më saktë, nëse do të jem mirë dhe i freskët.

Trajneri Mancini më telefonoi ditën që u lëndova dhe i thashë: Mister, do të kthehem në pranverë, do të bëj një pushim të lehtë, sepse kështu vjen qershori dhe do të jem aq i freskët… për kompeticionin tim të fundit europian me kombëtaren. Fakti se jam kapiten i Juves dhe i kombëtares, me 500 ndeshje në klubin tim dhe 100 ndeshje me Italinë, është motivim ekstra për mua. Do të doja ta shijoja këtë Europian. Një garë e tillë është e mrekullueshme për vitet e tua të fundit si futbollist”.