Kryesore Conte bën avokatin e Shqipërisë: Do ishte dritëshkurtësi shtyrja e negociatave

Conte bën avokatin e Shqipërisë: Do ishte dritëshkurtësi shtyrja e negociatave

Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka deklaruar se do të ishte dritëshkurtësi nga pala europiane shtyrja e mëtejshme e negociatave për Shqipërinë.

Gjatë konferencës së mbajtur para Senatit në funksion të Këshillit të ardhshëm Europian, Conte theksoi se ai vazhdon që të mbështesë konkluzionet për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Do të ishte dritëshkurtësi, nga pala evropiane, të vendosim për një shtyrje të mëtejshme të hapjes së negociatave, pas shtyrjes nga Këshilli Evropian në qershorin e kaluar. Në këtë fazë në çdo rast sigurisht që nuk i zvogëlon detyrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të vendosura nga Bashkimi Evropian”.

Sipas tij, një vendim tjetër jopozitiv, do të dërgonte sinjale negative në këtë rajonin e Ballkanit Perëndimor pasi do ta largonte edhe më tej Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga horizonti europian.

“Refuzim pa dhënë as mundësinë për të kryer do t’i largonte ato vende nga horizonti Evropian. Nuk është për t’u shpresuar, veçanërisht duke marrë parasysh që zgjerimi është një proces që lejon Shtetet Anëtare të bëjnë kontrolle shumë më të efektshme  pasi të kenë filluar negociatat e pranimit sesa një përjashtim që do të ftohte Tiranën dhe Shkupin në dinamikën e paqëndrueshmërisë politike, me pasoja edhe në nivelin rajonal”, tha Conte.