Aktualitet COVID-19 i merr jetën presidentit të televizionit “Fax News”, Kasem Hysenbelliu

COVID-19 i merr jetën presidentit të televizionit “Fax News”, Kasem Hysenbelliu

Presidenti i televizionit “Fax News”, Kasem Hysenbelliu është ndarë nga jeta si pasojë e virusit covid-19. Hysenbelliu nuk ka arritur të fitojë betejën me koronavirusin.

Prej ditësh, ai po merrte trajtim mjekësor në Turqi, ku u transportua pas komplikacioneve të shfaqura nga koronavirusi.

Më herët, kujtojmë që Kasem Hysenbelliu ka qenë drejtor i përgjithshëm i News 24, Balkanweb dhe Gazeta Shqiptare. Po ashtu, Hysenbelliu ka drejtuar dhe gazetat Panorama dhe Panorama Sport.

Pas këtij lajmi të hidhur, kanë reaguar dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta si dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

“Tronditës dhe i pabesueshëm lajmi për humbjen e parakohëshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu, Presidentit të ‘Fax News’, kësaj media të lirë, të pavarur e dinjitoze. Në këto momente të vështira jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme. Solidaritet me të gjithë gazetarët e ‘Fax News’ dhe ‘Faxweb.al’, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga presidenti Hysenbelliu, për të ndërtuar një media të lirë, zëri i çdo qytetari në nevojë dhe çdo kauze sociale, zëdhënëse e pakompromis e opinionit publik. I paharruar kujtimi i Kasem Hysenbelliut! U prehsh në paqen e merituar!”, shkruan presidenti Meta.

Ndërkohë, Basha shkruan se Kasem Hysenbelliu do të mbetet shembulli i njeriut kurajoz, të sinqertë dhe i drejtpërdrejtë.

“Jam i hidhëruar nga lajmi tronditës për ndarjen nga jeta të Kasem Hysenbelliut, një qytetar i angazhuar dhe luftëtar i medias së lirë. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Hysenbelliu për këtë humbje të rëndë! Lutjet dhe mendimet e mia janë sot me ta, si dhe me miqtë, kolegët dhe ekipin e televizionit Fax News. Për ne që e kemi njohur personalisht, Kasemi do të mbetet shembulli i njeriut kurajoz, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë dhe një përkrahës i të drejtës dhe të vërtetës. Ai do të kujtohet si një ndër kontributorët e spikatur në fushën e medias, themelues dhe president i televizionit Fax News, administrator i gazetës më të madhe në vend “Panorama” dhe i televizionit “News24″. Trishtimi dhe dhimbja janë të mëdha për këtë humbje tragjike. U prehtë në paqe!”, shkruan Lulzim Basha.