Kulturë Debati, QKLL del në krah të shkrimtarit Martin Camaj

Debati, QKLL del në krah të shkrimtarit Martin Camaj

Martin Camaj, një figurë e rëndësishme e letrave shqipe, prej disa ditësh është vendosur në qendër të opinionit publik, lidhur me publikimin e disa faksimileve, që e implikonin atë me shërbimet sekrete.

Ka qenë studiuesi Auron Tare që ka publikuar një studim se shkrimtarët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi kanë qenë të përzierë me veprimtari spiunazhi. Studimi ka ngjallur debate në rrethin e studiuesve letrarë, të cilët e quajnë këtë një mënyrë për të zhvlerësuar kontributin e tyre në letrat shqipe.

Ndërkohë, reagimi i fundit vjen nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, institucioni dedikuar librit në vendin tonë, e cila është vënë në krah të shkrimtarit.

Në faqen zyrtare të saj sapo është publikuar një poezi e Camajt, Trajta, një ndër poezitë më të bukura të tij, e cila vjen nën recitimin e poetes Moza Ahmeti.

Studiuesit dhe kritikët e letërsisë kanë dalë me qëndrimet e tyre lidhur me këtë debat të nxehtë të ditëve të fundit. Studiuesi i veprës së Camajt, Behar Gjoka mendon se këto janë kërkime dytësore për një personazh, si Martin Camaj që ka kontribuar në ngritjen e degës së Gjuhës shqipe në Mynih të Gjermanisë.

Gjoka e quan një debat të kahershëm, që nëse i referohemi për këta shkrimtare i bie të ndalim edhe tek emra të tjerë, si Kadare, Agolli dhe Qose, të cilët kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste edhe janë komunistë në vepër.