Dy diplomatë të tjerë iranianë janë urdhëruar të largohen nga Shqipëria brenda 72 orësh për shkak se përbëjnë rrezik serioz për Shqipërinë.
Ata janë Mohamed Peimanemati, këshilltar i tretë i Ambasadës së Iranit në Tiranë si dhe Seyed Ahmad Hosseini, atashe kulturor i Iranit në Shqipëri, ky i fundit shumë aktiv në fondacionin Shiraz që vepron edhe në Shqipëri dhe që ka një mbështetje speciale nga ana e Iranit.
Ministri i Punëve të Jashtme në Detyre, Gent Cakaj përmes një postimi në Facebook, bën me dije se dy diplomatët e dëbuar janë shpallur persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, z. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit ju është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Cakaj.
Burimet mediatike thonë se këta dy persona kishin lidhje të drejtpërdrejtë e ish-shefit-suprem të trupave Quds, gjeneralit Sulejmanit, i vrarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kush është Seyed Ahmed Hosseini Alast
Atashe kulturor, por në fakt anëtar i gardës revolucionare të Republikës islamike, organizatë e shpallur terroriste nga Departamenti i Shtetit. Pjesë aktive e planeve dhe nxitjes për të organizuar akte terroriste e destabilizuese ndaj prezencës së forcave të koalicionit në Lindjen e Mesme.
Kush është Mohamed Peimanemati
Këshilltar i Ambasadës Iraniane në Tirane, por ne fakt anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit Mois, përgjegjës për disa akte terroriste në vendet e BE.
Në dhjetor të vitit 2018, Shqipëria shpalli si persona të padëshiruar, ambasadorin Gholamhossein Mohammadnia dhe Mostafa Roudaki. Ndërkohë që më herët ishin ndaluar dy shtetas iraniane që dyshoheshin se do kryenin në Shqipëri një sulm gjatë një feste të bektashinjve. Shqipëria u bë pjesë e kërcënimeve iraniane nga Ajatollahu për shkak se strehon për arsye humanitare një grup prej 3200 anëtarëve të MEK, opozitës iraniane në mërgim.