Politika Deklarata e fortë e Murrizit: 13 analistë dhe anëtarë të Autoritetit të...

Deklarata e fortë e Murrizit: 13 analistë dhe anëtarë të Autoritetit të Dosjes janë bashkëpunëtorë të Sigurimit

Autoriteti i dosjeve kërkon ndryshimin e ligjit për ish- bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit duke propozuar riverifikimin. Propozimi ka ardhur pasi autoriteti ka zbuluar se ish-presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit.

Ish-deputeti Myslim Murrizi, në një intervistë për Ora News, është shprehur se me ligjin aktual vetëm personi që është i interesuar mund të kërkojë informacion për verifikim duke i dhënë të gjitha të dhënat e tij.

“Në ligjin aktual klasa politike ka luajtur në mënyrë  hipokrite. Ky është një ligj që nuk legjitimon askënd tjetër të kërkojë informacion përveç personit të interesuar, pra e kanë bërë qëllimisht që  çdo person që guxon, të shkojë të bëjë kërkesë me të gjithë të dhënat e tij, gjë që unë e kam bërë në 2017 dhe kam një certifikatë të pastërtisë të figurës sime nga ky autoritetet”, tha Murrizi.

Ai tha se Autoriteti i dosjeve, tashmë nuk e legjitimon këtë autoritet që të rihapë dhe njëherë dosjet, ndërsa tha se është pro ndryshimit të këtij ligji.

“Autoriteti i dosjeve, tashmë nuk e legjitimon këtë autoritet që të rihapë dhe njëherë dosjet. Jam partizan që ky ligj duhet ndryshuar. Autoriteti i dosjeve bie brenda me ligjin e vet. Nëse Ilir Meta do i drejtohet autoritetit të dosjeve do presin dy tre muaj, derisa ata zbardhin dhe do japin këtë përgjigje, por vetëm nëse shkon Ilir Meta”.

Ai tha se ndryshimit e ligjit e propozoi në 2020, por që nuk u miratua nga PS.

“Un e kam propozuar ligjin në 2020. Nuk e votoi PD, kishte frikë, ju dridheshin gjunjë. Thashë të hapen dosjet për deputetët, për kryetarët e bashkisë, gjyqtarët e të tjerë. S’kam thënë  të hapen dosjet për ata që kullosin viçat.

Sot janë aktiv 500 veta  që vazhdojnë të jenë pas 32 vitesh post komunizëm në Piramidën e Shtetit shqiptar, janë në parlament, drejtues emisionesh”.

Murrizi lëshoi akuza të forta duke thënë se janë 13 analistë në Shqipëri që janë bashkëpunëtorë të sigurimit.

“Një deputet që nuk flet asnjëherë është shumë pak më i rrezikshëm se sa një drejtues emisioni që përbën opinion dhe jep lajm për çdo ditë në media. Ke 13 analistë që janë bashkëpunëtorë të sigurimit.

Ka ardhur koha që Shqipëria dhe shqiptarët të marrin vesh kush kanë qenë ata që i kanë shit shpirtin dreqin në ’48 deri në 12 dhjetor të ’90. Pastaj Shqipëria u quajt pluraliste sepse lindi PD. Unë nuk jam pro ndalimit të tyre në parlament. Por mjafton të bëhen me dije shqiptarët se kush janë këta njerëz të pistë, të ndryrë që s’kanë lënë gjë pa raportuar, t’i dimë se na bëjnë dhe moral”, tha Murrizi.

Po ashtu ai tha se ka informacion se bashkëpunëtorë të sigurimit janë edhe ish-anëtarë dhe anëtarë të autoritetit të sotëm të autoritetit të dosjes.

“Duhen shumë të dhëna për të dalë në konkluzionin se a është Ilir Meta. Unë nuk e di pse bëjnë debate, në parlament janë, ke vullnet ditën e enjte, ta votojnë ndryshimin e ligjit. Unë dyshoj dhe kam informacion që ish-anëtarë dhe anëtarë të autoritetit të sotëm të autoritetit të dosjes janë vetë bashkëpunëtorë të sigurimit. Këta e dinë se kujt i përket”, përfundoi Murrizi.