Kryesore Berisha: Pallati i Brigadave do mbushet me kulla, ne do ndryshojmë Sheshin...

Berisha: Pallati i Brigadave do mbushet me kulla, ne do ndryshojmë Sheshin Skënderbej

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se Pallati i Brigadave, një hapësirë e njohur për historinë e saj rrezikon të mbushet me ndërtime shumëkatëshe.

“Pallati i Brigadave. Ne kemi pasur një projekt me kooperacion italian, është trashëgimi e periudhës së tyre dhe ka qenë një projekt 8-11 milionë euro për restaurimin e tij. Tani nuk flitet më, sepse praktika është shkatërroje që ta transformosh. Nuk kam dëgjuar të flitet për një projekt që kooperacioni italian ishte tërësisht i angazhuar, siç ka qenë Teatri, siç kanë qenë të gjitha.

Do pësojë edhe ai fatin nëse vazhdohet në këtë mënyrë, pra një tjetërsim, do mbushet me kulla, me klube. Për ne kjo është një batërdi që i bëhet identitetit të Tiranës. Do bëjmë gjithçka të shpëtojmë aq sa mundemi. Me këtë valë të fuqishme shkatërrimi dhe transformimi, gjurmët e trashëgimisë po zhduken dhe do të zhduken” – tha Berisha në një takim me intelektualë dhe gazetarë në Tiranë duke sulmuar edhe projektin e Sheshit Skënderbej.

“Sheshi është një turp i dheut, është një shesh çnjerëzor, shesh që kryen të vetmin funksion kalim këmbësorësh, kaq. Një shesh gjigant i zmadhuar në përmasa të frikshme dhe që janë tërësisht përveç Koresë së Veriut, nuk gjen kund sot shesh të tillë.

Sheshi duhet rivitalizuar, do punohet me arkitektë. Nuk kam qenë kurrë dakord që të përjashtohet trafiku. Tirana ka probleme me trafiku. Ja përjashtove qendrën nga trafiku, qytetarët marrin me ajër të ndotur helmet. Do rivitalizohet. Unë nuk mund të konceptoj një shesh pa treg, pa jetë, siç është sheshi i sotëm” – tha Berisha.

“Për hotel Dajtin, ju garantoj se qëllimi kryesor që iu dha Bankës ishte për ta ruajtur dhe për të parandaluar ndërtimin e një kulle aty. Provova ta shndërroja në Ministri të Jashtme, por Ministria nuk u zhvendos dot. Ju dha Bankës. Jemi përpjekur që të mos dëmtojmë ato që gjetëm” – tha Berisha.

“Kemi pasur një plan urbanistik për Tiranën. Ai plan u bë. Edi Rama nuk e bëri për 11 vjet se nuk donte. U bë për dy vite. Kishte të përcaktuara nga 5-8 kate ndërtimet dhe sot aty ku kanë qenë të caktuara 5 kate, janë 35 kate.

Por plani, unë di persona që kërkonin të rrisnin ndërtimit nga 7 në 8-9 dhe nuk bëhej. Plani ka qenë qartësisht i përcaktuar. Nuk ishin të përcaktuara kullat. Nuk kishte asnjë hapësirë për kullë, por për pallate deri 8 kate dhe të tjerët më pak” – tha Berisha.