Aktualitet Denoncime një ditë përpara tragjedisë për skafin e Arjan Tases, por policia...

Denoncime një ditë përpara tragjedisë për skafin e Arjan Tases, por policia Kufitare e Vlorës nuk mori masa

Ngjarja tragjike në Himarë ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, mund edhe të ishte shmangur, nëse policia kufitare e Vlorës do të kishte marrë masa pas ankesave dhe denoncimeve nga qytetarët.

Sipas News24, disa ditë përpara ngjarjes së rëndë, ka pasur sinjalizime për policinë kufitare të Vlorës, jo vetëm për skafin që drejtonte ish-efektivi Arjan Tase, por edhe për skafe të tjerë që lundronin dhe lëviznin në hapësirën ujore te bregdetit të vijës  bregdetare nga Porto Palermo deri në plazhin e Potamit.

Mësohet se sinjalizimet kanë ardhur nga denoncime dhe ankesa të qytetarëve, por edhe nga informacione të strukturave dhe shërbimeve të tjera.

Policia Kufitare nuk ka marrë masa, edhe pse ka pasur informacion edhe për skafin e Arjan Tases dhe e dinte që përdorej nga një efektiv.

Kjo është dhe një nga arsyet që AMP po i heton për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zinxhirin komandues të policisë Kufitare të Vlorës.

Për këtë arsye, pas ngjarjes së rëndë të Himarës, Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano shkriu të gjithë zinxhirin komandues të drejtorisë së Kufirit Vlorë duke i shkarkuar.