Politika Deputeti i Bundestagut në Tiranë: Franca e Gjermania nuk duhet të përçahen...

Deputeti i Bundestagut në Tiranë: Franca e Gjermania nuk duhet të përçahen për negociatat me Shqipërinë

Christian Petry, socialdemokrat, deputet i Bundestagut ndodhet për një vizitë në Maqedoninë e Veriut e Shqipëri. Franca e Gjermania nuk duhet të përçahen për negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, thotë ai.

Deutsche Welle: Ju shkoni të enjten në Tiranë. Çfarë mesazhi keni me vete?

Christian Petry: Nuk kam ndonjë mesazh negativ. Mesazhet negative janë për ata që shkaktojnë negativitete. Ne shkojmë në Tiranë duke përcjellë një ndjenjë pozitive, dhe duke bërë të ditur se procesi ndodhet në një fazë kritike por nuk ka marrë fund, dhe në asnjë mënyrë nuk ka marrë fund në mënyrë negative, por do të negociohet deri në fund.

Deutsche Welle: A do t’i pranojë Franca kushtet të ka vendosur parlamenti gjerman?

Christian Petry: Zoti Macron njihet si njeri që ndjek idetë e veta dhe kur futet në diskutim me qëndrim negativ, nuk do të thotë se mban deri në fund të njëjtin qëndrim. Por, në rrugën drejt marrjes së vendimit zhvillohen negociata, dhe negociatat kanë të bëjnë me krjimin e mundësisë që vendi i tij të japë mendimin e vet për bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Unë mendoj se kjo do të ndodhë këtë javë. Prandaj unë kam ardhur në rajon dhe jam optimist se ekzistojnë mundësi për negociata. Por në fund Gjermania dhe Franca duhet të jenë me vendim të përbashkët për këtë çështje. Sepse do të shkaktonte krizë në Europë nëse këto dy vende përçahen.

Deutsche Welle: Pyetja ime ka të bëjë me trajtimin e veçantë të dy vendeve. Është ky një variant realist?

Christian Petry: Çdo gjë është realiste, sa kohë është e ligjshme. Kjo është demokracia. Pyetja është, a është e drejtë. Unë mendoj se kjo është e gabuar. Ne kemi folur gjatë me kolegët nga Partia Kristiandemokrate për këtë pikë. Gjatë gjithë verës ne e kemi parë procesin me këtë këndvështrim. Sepse ne i shtymë vendimet në qershor dhe në tetor. Po e jap përgjigjen në këtë mënyrë: Kur edhe vetë konservatorët në Gjermani janë për trajtim të njëhershëm të të dy vendeve, atëherë kjo gjë nuk mund të jetë diçka e keqe. Të gjithë ata që kanë sado pak njohuri për rajonin e Ballkanit, e dinë se kaq pak kohë pas përfundimit të luftës së fundit në Europë, ekzistojnë linja të ndryshme historie, narracione të ndryshme të etnive të ndryshme, palëve të ndryshme, vendeve të ndryshme, grupe të ndryshme, të cilat mund të zhvillohen në mënyrë radikale. Bashkimi Europian dhe organizmat e tij, nuk do të lejojnë kurrë që të merren vendime, që janë kundër frymës së Marrëveshjes së Lisbonës. Për shembull që të merret një vendim që të bazohet në përkatësinë fetare ose përkatësinë etnike. Ka argumente që tregojnë pse një vend duhet trajtuar teknikisht ndryshe nga një vend tjetër, dhe këto argumente duhen dëgjuar. Por nuk lejohet në asnjë mënyrë të krijohet përshtypja, sepse kjo do të ushqente një narracion rajonal që do të na kthente mbrapsht në katastrofë.

Deutsche Welle: Ju përmendët Kosovën, duke folur për ndryshimet e mëdha me zgjedhjet në Kosovë. Çfarë prisni nga Kosova?

Christian Petry: Presim shpresë, asgjë tjetër. Shpresë që strukturat e vjetra, që rëndojnë mbi vendin të kapërcehen. Një shpresë që pengesat të kapërcehen nga figurat e reja, sepse me sa duket strukturat e vjetra që kanë zënë kore dhe janë të rrezikshme, nuk e morën më votën nga popullsia me moshë të re e Kosovës. Atyre iu mor vota, kështu që ekziston shpresa. Pastaj ajo që presim është perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Dhe pikëpamja ime personale është, se kjo nuk mund të arrihet duke ndjekur delikte të pakuptimta të politikës europiane për ndryshime territoresh ose ndryshime kufijsh, por duke e kërkuar afrimin me Serbinë në fusha të tjera.