Bota Dëshmia tronditëse: El Chapo drogonte dhe kryente marrëdhënie me vajza 13-vjeçare

Dëshmia tronditëse: El Chapo drogonte dhe kryente marrëdhënie me vajza 13-vjeçare

Dëshmitarët në çështjen më të nxehtë gjyqësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u thanë autoriteteve se trafikanti famëkeq i drogës Joaquin Guzman kryente marrëdhënie seksuale me vajza të reja të cilat i quante “vitamina” që i jepnin “jetë”.

Kjo u zbulua pas publikimit të dokumenteve të senacës së të premtes të gjyqit të El Chapos, që po zhvillohet në Bruklin, Nju Jork. Dëshmitari tha në gjyq se rreth vitit 2007 kishte ndihmuar Guzmanin që të drogonte vajza të vogla, deri në 13 vjeç, duke ia hedhur drogën në pije para se të kryente marrëdhënie me to.

Eduardo Balarezo, një prej avokatëve të El Chapos, tha se klienti i tij i mohonte këto akuza. “Është për të ardhur keq që materialet u bënë publike para se juria të japë verdiktin”, tha ai përmes një deklarate për mediat.

Edhe pse dokumentet e dëshmisë fillimisht nuk u publikuan pasi prokurorët e çështjes thanë se ajo nuk ndikonte në akuzat për trafik të lëndëve narkotike, me kërkesë të disa mediave amerikane, si “New York Times” dhe “Vice News”, gjykatësi Brian Cogan urdhëroi publikimin e tyre. Sipas dëshmisë, El Chapo paguante deri në 5000 dollarë që vajzat të dërgoheshin në rezidencën e tij në Sinaloa.

Mbi 61-vjeçarin rëndojnë 10 akuza federale, përfshi krijimi i organizatës kriminale, pastrimi i parave të përfituara nga tregtia e lëndëve narkotike, si dhe shpërndarja ndërkombëtare e kokainës, heroinës, marijuanës dhe drogave të tjera. Nëse shpallet fajtor ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.