Sport Dështimi i Superligës, akuza të forta nga Spanja: UEFA u ofroi para...

Dështimi i Superligës, akuza të forta nga Spanja: UEFA u ofroi para anglezëve

Presioni i madh politik dhe një “Jo” unanime nga ana e tifozëve bëri që 6 skuadrat angleze të tërhiqeshin të parat nga Super Liga. Liverpuli, Totenhemi, Arsenali, Çelsi, Mançester Siti dhe Junajtid e kanë braktisur përfundimisht turneun e ri “anti-Çampions”, që e themeluan bashkë me Real Madridin, Barcelonën, Atletiko Madridin, Juventusin, Interin dhe Milanin.

Por, me sa duket, nuk janë vetëm arsyet e përmendura më lart ato që sollën tërheqjen e klubeve angleze: sipas “Mundo Deportivo”, ka edhe një arsye ekonomike, një ofertë e mirë parash nga ana e UEFA-s.

E përditshmja spanjolle shkruan se UEFA ka luajtur një rol thelbësor në vendimin e “Big Six” për të dalë nga Super Liga. Qeveria e futbollit europian u ka bërë atyre një propozim ekonomik për t’i bindur të tërhiqen. Një ofertë e tillë, sipas “Mundo Deportivo”, nuk u është bërë klubeve spanjolle, që nga organi që drejton futbollin europian, shihen si armiku kryesor, të udhëhequr nga Real Madrid dhe Florentino Perez.

Pas dështimit të Super League, Andrea Agnelli deklaroi se projekti e ka të pamundur të vazhdojë.

“Të jemi të sinqertë, është e pamundur që Super League të vazhdojë, pas tërheqjes së kaq shumë klubeve. Mbetem i bindur se ishte një projekt i shkëlqyer, për të krijuar një turne që do të ishte më i bukuri në botë dhe që do të vendosej në majën e piramidës së futbollit. Mendoj se ky projekt përfundoi”, tha Agnelli.