Aktualitet Detaje nga plagosja tek Komuna, 22-vjeçari shkoi me taksi në spital

Detaje nga plagosja tek Komuna, 22-vjeçari shkoi me taksi në spital

Redi Balla, 22-vjeçari që u plagos ditën e djeshme me një plumb në këmbë brenda makinës së tij në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë ka shkuar vetë në spital menjëherë pas ngjarjes.

Burime bëjnë me dije për ABC se i riu ka marrë një taksi për të shkuar në drejtim të spitalit të Traumës ku vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

I riu nuk ka dhënë dëshmi të plotë. Ai është shprehur se “nuk e pashë kush më qëlloi”. “Isha në kafe, do të shkoja në shtëpi. Kisha parkuar aty, sa vajta te makina më qëlluan në këmbë, nuk jam banor i asaj zone”, ka thënë më tej ai.

Por një gjë e tillë nuk e ka bindur grupin hetimor që pritet që ta marrin sërish në pyetje të plagosurin. 22-vjeçari është i skeduar si tip problematik, pasi ka qenë më parë disa herë i shoqëruar për konflikte që kanë përfunduar në dhunë.

Përpos tij, grupi hetimor ka marrë edhe dëshmitë e disa prej banorëve të zonës, por edhe pamjet nga disa kamera sigurie për të shkuar në gjurmët e autorit.