Kryesore Dhuna në Kuvend, Kryemadhi zbulon kërkesën për ambasadorin Lu

Dhuna në Kuvend, Kryemadhi zbulon kërkesën për ambasadorin Lu

Zbardhet takimi mes ambasadorit të SHBA-ve Donald Lu dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, dy ditë pas protestës së opozitës.

Pasi i ka sqaruar me detaje incidentin në Kuvend dhe jashtë tij, ku sipas saj, u gjakosën edhe dy deputete të LSI, Kryemadhi i ka kërkuar ambasadorit Lu një vlerësim objektiv të ngjarjeve më të fundit për të evidentuar qartë se shkaktarët e dhunës brenda dhe jashtë parlamentit.

Sipas njoftimit të LSI, mësohet se Kryemadhi në takimin me Ambasadorin e SHBA, Donald Lu në selinë e LSI-së ka thënë se procesi i zgjedhjes se kryeprokurorit ishte antikushtetues.

“Ishte një proces i njëanshëm i cili u krye nga Kryeministri me qëllimi kapjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për të mbuluar aferat e tij dhe të çështjeve shumë të rëndësishme në hetim si procesi ndaj ish Ministrit Tahiri po ashtu dhe dosjet e korrupsionit të ministrave të tjerë”, tha Monika Kryemadhi gjatë takimit me ambasadorin Lu sipas njoftimit të LSI-së.

Duke vënë theksin te procesi i votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se: “Ky votim i njëanshëm i Kryeministrit dhe deputetëve të tij e bën të pabesueshëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me vullnetin e tij për tu shkuar deri në fund hetimit të trafikut të drogës që po shkatërron vendin, e në mënyrë të veçantë rininë shqiptare si dhe për të luftuar korrupsionin që po mban peng Shqipërinë, fatin e shqiptarëve dhe Integrimin Europian”.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga LSI, Kryemadhi gjatë takimit me Ambasadorin Lu u ndal dhe te zhvillimet në parlament. Ajo tha se: “Gjithçka u shkaktua për shkak të militarizimit të pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, duke nënvizuar futjen e dhunshme të gardës së Republikës, duke dhunuar deputetët dhe shndërrimin e parlamentit në institucion komunist në funksion të interesave vetëm të kryeministrit Rama dhe të mbështetur plotësisht nga kryetari i parlamentit Rucci, sipas një skenari të mirëmenduar për dhunimin e parlamentarizmit në Shqipëri e të fjalës së lirë në parlament”.

Gjatë takimit, Kryemadhi evidentoi dhunën ndaj deputeteve të saj brenda dhe jashtë parlamentit, Kejdi Mehmetaj the Floida Kërpaçi si dhe nënvizoi se “gjakosja e deputeteve më të reja të parlamentit është një provë e qartë publike e dhunës së pushtetit të kryeministrit dhe policisë së tija ndaj çdo reagimi qytetar dhe opozitar, dhunë e cila ishte mesazhi më negativ që mund ti jepej rinisë shqiptare”.

Ajo shprehu vullnetin e LSI-së për të futur vendin në rrugën e kushtetuetshmërisë, pasi aktualisht gjithçka ka dalë nga shinat e kushtetutës. “Ky kaos kushtetues ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te shteti i së drejtës, gjë që është shkaku kryesor që shqiptarët braktisin vendin dhe pse të rinjtë kanë humbur shpresën”, tha ajo.