Sport Diaz: Zlatan ka moshën e babait tim, por vazhdon të bëjë diferencën

Diaz: Zlatan ka moshën e babait tim, por vazhdon të bëjë diferencën

Brahim Diaz është ndër zbulimet e kësaj pjese të parë të sezonit te Milani. Spanjolli, i cili arriti nga Real Madrid në verë, duket se ka gjetur menjëherë dimensionin e tij dhe tashmë ka koleksionuar 10 paraqitje dhe ka shënuar tre gola mes kampionatit dhe Europa League-s. Duke folur për mikrofonat e “Vamos”, një program i transmetuar në “Movistar +”, sulmuesi i ri nuk u kurseu lavdet për klubin kuqezi:

“Tani i kam disa minuta në fushë. Në Madrid isha shumë mirë, por tani po jap më të mirën e futbollit tim, duke treguar se çfarë mund të bëj. Është shumë më lehtë këtu, sepse e dua futbollin. Kthimi te Reali? Jam përqendruar te Milani dhe po bëj më të mirën këtu. Qyteti është shumë i bukur, me njerëz shumë miqësorë. Jam shumë i lumtur që ndodhem në Itali, ku u përshtata shumë shpejt. Ne jemi të fortë dhe duhet të vazhdojmë me këtë dinamikë”.

Lideri i Milanit në këtë pjesë të parë të sezonit është pa dyshim Zlatan Ibrahimovic, i cili duket se po jeton një rini të dytë. Brahim Diaz ndihet me fat që luan përkrah gjigantit suedez.

“Zlatan është në të njëjtën moshë me babanë tim, megjithatë të gjithë po e shohim çfarë është i aftë të bëjë, ai vazhdon të bëjë diferencën. Në futboll, mosha është relative dhe ai po e tregon atë. Ne mirë kuptohemi si brenda dhe jashtë fushës së blertë, ai më jep këshilla të vyera. Po flasim për një fitues. Të bësh thjesht pjesë tënde nuk mjafton, duhet të punosh më shumë. Zlatan më thotë: nuk ke mbaruar akoma, tani duhet të bësh ushtrime për muskujt e barkut me mua . Ai kërkon shumë dhe ti përmirësohesh”.

Spanjolli u transferua në Milano në formë huazimi nga Real Madridi, klub të cilin por e ndjek me interes, edhe pse në distancë.

“Zidane kurrë nuk ndalet së fituari trofe. Në fund ai vë në dyshim gjithçka, por kurrë nuk zhgënjen si trajner dhe si një person. Ne kemi një marrëdhënie të veçantë dhe vlerësim të ndërsjellë. Tani flasim më pak, por herë pas here i shkruajmë njëri-tjetrit. Reali do të jetë në gjendje t’i arrijë objektivat, si zakonisht, sepse është një mjedis fitues.”