Kryesore Diplomati shqiptar: Ç’kanë me Sorosin dhe pse heshtet për financimet serbe?

Diplomati shqiptar: Ç’kanë me Sorosin dhe pse heshtet për financimet serbe?

Nga më pikantet e statuseve të zotit Murati ka qenë pikërisht ai ditën e protestës së PD-së më 18 shkurt, ku çuditshëm valëvitej flamuri i Izraelit në mes të protestës.

Për këtë fakt, diplomati i njohur shtron pyetje por edhe akuzon.

“Për herë të parë në historinë e Ballkanit, të Shqipërisë dhe të demokracisë, në një protestë politike antiqeveritare në mes të Tiranës shqiptarët dolën edhe me flamurin e Izraelit. Askush në të dy trotuarët politikë, mediatikë, shoqëricivilistë dhe levantinistë nuk dha shpjegim dhe nuk kërkoi shpjegim përse organizatorët e lejuan këtë simbolikë të paprecedent, e cila shtoi listën e shumë gjërave sui generis shqiptare. Po nëse dikush, larg qoftë, në një protestë politike antiqeveritare në Tiranë të kishte ngritur flamurin e Turqisë, çfarë do të kishte ndodhur në trotuarët politikë, mediatikë, shoqëricivilistë dhe levantinistë shqiptarë?”

Ndërkaq, i shtyrë edhe nga debate pa kufi për Sorosin dhe rolin e tij në Shqipëri, Shaban Murati ka një tjetër qëndrim ku përveçse akuzon ata që kanë përfituar nga paratë e miliarderit hebreo-amerikan, por edhe ngre pikëpyetjen për mediat që nuk kanë folur kurrë për financimet e shërbimeve secrete serbe në Shqipëri. Ja statusi i plotë:

Se sa i mjerë është niveli moral dhe intelektual i “shoqërisë civile” në Shqipëri, e tregon fakti se nga dhjetra shoqata, fondacione, institute, borde dhe figura publike, që Xhorxh Sorosi i ka mbajtur me para për 25 vjet rresht dhe i ka bërë me vila, me apartamente, me shtëpi pushimi në det e në mal, nuk u ngrit asnjeri në mbrojtje të dorës, që i ka pasuruar. Është një dëshmi, ndër të shumtat, se fjala “mirënjohje” nuk banon në fjalorin e gjuhës shqipe.

 2-Përse gjithë kjo fushatë për Sorosin dhe milionat e dollarëve për njerzit e tij në Shqipëri dhe nuk pati kurrë fushatë për Sllobodan Millosheviçin dhe milionat e dollarëve për njerzit e tij në Shqipëri? Mirë, që po bëhen listat për njerëzit e Sorosit në Shqipëri, por si nuk u bënë kurrë dhe nuk po bëhen kurrë listat për njerzit e Millosheviçit dhe të Serbisë në Shqipëri?