Extra Divorci historik: Gjykata detyron burrin që t’i paguajë ish-bashkëshortes mijëra dollarë për...

Divorci historik: Gjykata detyron burrin që t’i paguajë ish-bashkëshortes mijëra dollarë për punët e shtëpisë

Një gjykatë në Kinë ka urdhëruar një burrë që të paguajë ish-bashkëshorten e tij me mijëra dollarë kompensim për punët e shtëpisë që ajo kishte mbi supe gjatë martesës së tyre 5-vjeçare.

Wang, kërkoi dëmshpërblim prej 24 700 dollarësh nga burri i saj pasi ai bëri kërkesë për divorc në një gjykatë në Pekin, në muajin tetor. Ajo tha se është kujdesur gjithmonë për djalin e tyre dhe punët e shtëpisë, dhe se nuk ka marrë ndihmë nga i shoqi.

Në vendimin e saj, gjykata urdhëroi burrin ta paguante atë rreth 7700 dollarë si kompensim për punët e shtëpisë dhe ndau pronën e tyre të përbashkët në mënyrë të barabartë. Wang gjithashtu mori kujdestarinë e të birit dhe një pension prej 300 dollarësh në muaj për ushqim.

Vendimi është i pari i këtij lloji, sipas kodit të ri civil të Kinës, një paketë legjislative e gjerë që qeveria kineze dhe ekspertët ligjorë thonë se do të mbrojë më mirë të drejtat e individëve. Që nga janari, ai përfshin një klauzolë që i mundëson palëve të kërkojnë kompensim nga partneri i tyre gjatë divorcit, pasi mund të kenë mbajtur më shumë përgjegjësi në kujdesin për fëmijët dhe të afërmit e moshuar.

Vendimi u bë temë diskutimi në Weibo, aplikacion i ngjashëm me Twitter, këtë javë pasi u krijua një hashtag për të tërhequr vëmendjen ndaj vendimit të gjykatës. Që nga e mërkura, hashtag-u është parë më shumë se 500 milionë herë. Ndërsa disa komente e përshëndetën vendimin si një njohje e punës së vështirë dhe të papaguar në shtëpi, të tjerët thanë se shuma e dhënë ishte shumë e vogël.

Rolet e pabarabarta gjinore në jetën e brendshme kanë qenë një temë e debatit publik në Kinë në vitet e fundit mes një lëvizjeje feministe në rritje. Pavarësisht niveleve në rritje të arsimit dhe statusit ekonomik të grave, normat gjinore dhe traditat patriarkale nuk i kanë kapur këto ndryshime, dhe gratë pritet të kryejnë më shumë kujdesin ndaj fëmijëve dhe punët e shtëpisë pas martese.