Politika Do ta vijojë punën për Shqipërinë nga DASH? Kim: Ndoshta jo të...

Do ta vijojë punën për Shqipërinë nga DASH? Kim: Ndoshta jo të gjithëve ju pëlqen, por po

Në detyrën e saj të ardhshme, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, do të ketë të bëjë sërish me Shqipërinë, pasi pritet të marrë postin e zv.ndihmëssekretares për Çështjet Europiane në Departamentin Amerikan të Shtetit.

E pyetur nëse do ta vijojë punën për Shqipërinë nga DASH, kryediplomatja amerikane theksoi se është e lumtur që në postin e saj të ardhshëm do të ketë përgjegjësi edhe për Shqipërinë, edhe pse jo drejtpërdrejt.

“Dhe jam shumë e lumtur për këtë, ndoshta jo të gjithë janë të kënaqur për këtë, por unë jam. Nga këndvështrimi vetjak e vërteta është se Shqipëria më ka prekur dhe më ka ndryshuar shumë.”

Nëse do të kthehet në Shqipëri apo jo, kjo mbetet për t’u parë, por ambasadorja theksoi se Shqipëria do të mbetet gjithnjë me të.

Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020. Një diplomate karriere, ajo ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.

Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Më parë, ka qenë Shefe e Kabinetit e Zv.sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë.