Politika “Doktrina Trump”, si revizionizëm

“Doktrina Trump”, si revizionizëm

Intervistë/ Flet Prof. Dr. Fatos Tarifa

Politikanë të veçantë që e quajnë veten të djathtë” janë entuziazmuar nga zgjedhja e z. Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë!!

A thua se ata janë “binjakët politikë” të republikanëve amerikanë (qesharakë, politikanë sharlatanë, si Fatmir Mediu), apo, mos vallë, tani që president është z. Trump, të djathtëve shqiptarë” do u hapet dyert e Shtëpisë së Bardhë? Qesharake! Shumë qesharake!

  – Profesor Tarifa, parashikimi juaj për zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk doli. Fitoi Donald Trump, të cilin ju nuk e mendonit se do të fitonte. Ç’koment mund të bëni për këtë?

– Unë nuk bëra orakullin, por analistin, mbështetur në përvojën time jetësore, akademike e diplomatike në Shtetet e Bashkuara dhe në studimet e mia mbi politikën e brendshme e të jashtme amerikane. Në politikë ka gjithmonë të papritura. Njëlloj si unë, humbjen e Trump-it e dëshiruan dhe e parashikuan shumica e popullit amerikan. Shumica e amerikanëve (48.2 për qind) e tyre votuan kundër të tij, në favor të kandidates demokrate, Hillary Clinton. Donald Trump fitoi vetëm 46.1 për qind të votave. Pra, afro 3 milionë amerikanë më shumë votuan për kandidaten që humbi, ndërsa Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara me 2.1 për qind vota më pak. Zgjedhja e z. Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë nuk është, pra, rezultat i fitores së tij; kjo u bë e mundur për shkak të sistemit elektoral që ekziston prej më shumë se dy shekujsh në atë vend. Më saktë, për Donald Trump-in nuk votoi shumica e afërsisht 130 milionë qytetarëve amerikanë që morën pjesë në zgjedhjet presidenciale, por votoi shumica e vetëm 538 anëtarëve të Kolegjit Elektoral të atij vendi. Kjo, natyrisht, nuk e vë në dyshim legjitimitetin e z. Trump si President i Shteteve të Bashkuara, sepse është vetë sistemi politik dhe mekanizmat e sistemit elektoral amerikan që e mundësojnë edhe një humbës të votës popullore të zgjidhet në postin më të lartë të shtetit.

Kushdo që është i informuar për sistemin politik amerikan dhe historinë e presidencës së Shteteve të Bashkuara, e di se Donald Trump nuk është i pari president amerikan që zgjidhet në këtë post duke mos fituar shumicën e votave të popullit të vet. Para tij kanë qenë katër presidentë të tjerë, që duke humbur votën popullore, u zgjodhën në krye të Shtëpisë së Bardhë me shumicën e votave të Kolegjit Elektoral: John Qincy Adams (vs Andrew Jackson), më 1824; Rutherford Hayes (vs Samuel Tilden), më 1876; Benjamin Harrison (vs Grover Cleveland), më 1888 dhe George W. Bush (vs Al Gore), në vitin 2000.

Nuk ishin vetëm shumica e amerikanëve që humbën në parashikimet e tyre për rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA. Bashkë me ta dështuan edhe parashikimet e pothuajse të gjitha mediave më të mëdha në atë vend, parashikimet e pjesës më të madhe të analistëve politikë, si dhe parashikimet e pjesës më të madhe të publikut e të politikanëve europianë. Kë mund të “fajësosh” për këtë “miopi” politike veç sistemit të kolegjit elektoral që vazhdon të ekzistojë në Shtetet e Bashkuara, edhe pas shumë përpjekjesh legjislative që janë bërë për ta eliminuar atë?

Mos harroni se, në fakt, Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara i kundërshtuar fort nga elektorati amerikan që tradicionalisht ka votuar për demokratët, por edhe i kundërshtuar dhe anatemuar nga një pjesë e madhe e lidershipit republikan.

– Sidoqoftë, tashmë jemi përpara një realiteti të pamohueshëm: Trump është presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. A mendoni se kemi hyrë në një epokë të re botërore?

– Është ende shumë herët që të flitet me siguri se ç’mund të ndodhë pas zgjedhjes së z. Trump president i Shteteve të Bashkuara dhe unë nuk dua t’ju jap juve “arsye” për të më thënë më vonë, përsëri, se kam dështuar në parashikimete mia. Jo, vërtet është shumë herët. Z. Trump ka vetëm dhjetë ditë që ka marrë në dorë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë dhe ndryshimet ne politikën e brendshme e të jashtme amerikane janë të pritshme. Në fakt ndryshime të rëndësishme kanë filluar të ndodhin, por do të ishte e nxituar të bëja parashikime për një “epokë të re botërore”, për një “Rend të Ri Botëror”, ose për një paradigmë të re në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha të globit. Sidoqoftë, nëse retorika dhe veprimet e ditëve të para të presidentit të sapozgjedhur amerikan janë një tregues i një “Doktrine Trump” në embrionet e saj, disa “parashikime” (që mund të jenë edhe të gabuara) mund të bëhen.

Fatos Tarifa

Fatos Tarifa

Unë kam besuar gjithmonë – dhe vazhdoj të besoj – se pavarësisht individit që zgjidhet në krye të Administratës amerikane, politikat e jashtme e të brendshme të kësaj fuqie të madhe nuk mund të pësojnë ndryshime rrënjësore. Detyrimi kryesor i çdo shteti dhe parimi themelor i politikës së tij të jashtme e të brendshme është interesi kombëtar dhe nuk ka arsye të besojmë se interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara ka ndryshuar me ardhjen e z. Trump. Ajo çka mund të ketë ndryshuar është perspektiva nga e cila presidenti Trump i sheh shumë prej çështjeve që lidhen me interesin kombëtar të këtij vendi, por jo vetë interesin kombëtar i Shteteve të Bashkuara. Ky i fundit mbetet obligimi kryesor dhe qëllimi më i lartë i politikës së çdo vendi, të cilit i nënshtrohen të gjitha objektivat e tjera. Z. Trump flet në emër të “sigurisë kombëtare” të Shteteve të Bashkuara dhe kjo është veçse e natyrshme për çdo president amerikan, si dhe për kreun e shtetit të çdo vendi tjetër. Kissinger shprehet se siguria kombëtare e një vendi është përgjegjësia më e lartë e çdo shteti dhe, si e tillë, ajo nuk mund të vihet në rrezik duke bërë kompromis për të.

– Megjithatë, disa shenja se ka ndryshuar diçka thelbësore në administratën amerikane janë të dukshme…

– Po, shenjat e para që vijnë nga administrata e presidentit Trump nuk duket se janë në çdo aspekt një vazhdimësi e politikave të mëparshme të administratave amerikane, si kur në krye të administratës ishte një president republikan, ashtu dhe kur ajo drejtohej nga një president demokrat. Nga sa kam ndjekur deri më sot, Trump është ndryshe – dhe larg – nga çdo president demokrat që ka drejtuar Shtëpinë e Bardhë qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, por ai, gjithashtu, ka fare pak gjëra të përbashkëta me presidentët republikanë paraardhës të tij.

Përveç mungesës së theksuar të eksperiencës në çështje globale dhe në politikën e jashtme, z. Trump duket se ka fare pak gjëra të përbashkëta me presidentët e mëdhenj demokratë ose republikanë të pas Luftës së Dytë Botërore, si Harry Truman (D), Dwight Eisenhower (R), John F. Kennedy (D), Ronald Reagan (R) apo Bill Clinton (D). Këta të gjithë ishin internacionalistëdhe atlanticistë, krijuesit dhe mbështetësit e aleancës më të fuqishme politike-ushtarake që ka njohur historia (NATO), dhe mbështetës qysh nga fillimi i Projektit Europian. Kujtoni vetëm fjalët e njohura të Presidentit Kennedy, më 1962, se “Shtetet e Bashkuara e shikojnë këtë ndërmarrje të re të madhe (Komunitetin Europian) me shpresë dhe admirim. Ne nuk e shohim një Europë të fortë dhe të bashkuar si një rival, por si një partner”. “Një Europë e fortë dhe e bashkuar”, theksonte J. F. Kennedy, ka qenë “objektivi kryesor” i politikës së jashtme amerikane qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

Qysh nga ajo kohë, të gjitha administratat amerikane kanë mbështetur vazhdimisht pothuajse çdo iniciativë për thellimin e integrimit dhe zgjerimin e Europës së bashkuar. Mbështetjen de facto amerikane për një “Europë të fortë” e konfirmoi edhe një herë ish-Presidenti George W. Bush gjatë vizitës së tij në Bruksel, në shkurtin e vitit 2005, kur theksoi se “Amerika mbështet një Europë të fortë”, sepse ajo “ka nevojë për një partner të fortë në përpjekjen e vështirë për të përhapur lirinë në botë”. Duke folur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Europës, Zbigniew Brzezinski ka argumentuar se, nga këndvështrimi i interesave amerikane, është në dobi të Amerikës që Europa “Një, të jetë e zgjeruar; dy, që ajo të jetë politikisht më e përcaktuar; tre, që ajo të ketë kapacitete më të mëdha ushtarake të vetat; dhe katër, që ajo të jetë e lidhur në aleancë me Shtetet e Bashkuara”.

Në fakt, paqja e brendshme dhe prosperiteti i Europës pas Luftës së Dytë Botërore janë bërë të mundura në një ekonomi globale relativisht të hapur, ndërsa Aleanca Atlantike e përforcoi dhe e legjitimoi lidershipin global të Amerikës. NATO-ja ofroi një strukturë multilaterale, e cila e ndihmoi SHBA-në për të përdorur siç duhet fuqinë e saj. Përmes bashkëpunimit me Europën dhe me ndihmën e saj, Amerika ia doli, më së fundi, të përmbushte ëndrrën e saj Willsoniane për të udhëhequr botën duke e ftuar atë në misionin e saj.

– Duket se Presidenti Trump po i bwn njw revizionim politikës sw deritanishme amerikane në lidhje me NATO-n dhe Europën, apo jo?

– Deklaratat e derisotme të z. Trump për “anakronizmin” e NATO-s dhe për Bashkimin Europian si “një mjet për Gjermaninë” duken sikur paralajmërojnë një “ndryshim rrënjësor kursi” në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, distancimin e Amerikës nga aleatët e asaj europianë, përmes rikonfirmimit dhe forcimit të “marrëdhënies së veçantë” mes SHBA-së dhe Britanisë së Madhe (që të kujton afrimin e madh mes këtyre dy vendeve në kohën e Presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt dhe të kryeministrit britanik Winston Churchill dhe, më vonë, afrimin mes presidentit Reagan dhe kryeministres Margaret Thatcher). Unë parashikoj (qofsha i gabuar) se, nën presidencën e z. Trump, politika amerikane mundet të njohë një farë revizionimi, që do të ketë efektet e veta si brenda vendit, ashtu edhe në skenën globale.

Së brendshmi, çfarë mund të ndodhin janë: (a) një polarizim i mëtejshëm i shoqërisë amerikane (në rrafsh ekonomik e social, racor dhe etnik), e cila, edhe pa Trump-in (duke filluar nga presidentët George W. Bush dhe Barack Obama) ishte mjaft e polarizuar; (b) një fermentim i mëtejshëm i pakënaqësive të një mase të gjerë njerëzish, që nuk pajtohen me politikat e administratës së re dhe, ndoshta, përshkallëzimi i protestave dhe i revoltave që nisën dy vite më parë dhe që, pas inaugurimit të z. Trump si president u shprehën qartë në një varg manifestimesh të mëdha anembanë Shteteve të Bashkuara (dhe anembanë botës); (c) një rritje (ndoshta) e ekonomisë amerikane dhe një rënie (ndoshta) e papunësisë, por me koston e lartë të marxhinalizimit të minoriteteve etnike e racore në atë vend; (d) një kthim i Shteteve të Bashkuara në politikat proteksioniste e izolacioniste të shekullit të 19-të dhe të periudhës midis dy luftrave botërore etj.

Së jashtmi, unë uroj që Shtetet e Bashkuara të mbeten fuqia që vazhdon të luajë rolin e lidershipit global, pasi (a) në kohën tonë – dhe për një të ardhme të parashikueshme – asnjë fuqi tjetër e globit nuk e luan dhe nuk do të mund ta luajë dot këtë rol – dhe (b) pasi tërheqja dhe vetizolimi i Shteteve të Bashkuara në “punët” e saj do të krijonte një vakuum politik shumë të rrezikshëm në skenën globale, të cilin, ndoshta, do të tentonin ta mbushnin (pjesërisht, në rajonet e interesave të tyre gjeostrategjike), Rusia, Kina ose shtete e organizata të tjera.

Të mos harrojmë se, për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, Amerika ka qenë dhe është në gjendje të luajë rolin e lidershipit botëror, duke përcaktuar drejtimet themelore të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor në kohën e sotme. Këtë rol global të saj, Alexis de Tocqueville e paralajmëroi më shumë se një shekull e gjysmë më parë me diktumin e tij të famshëm: “I saw in America more than America” (Unë pashë në Amerikë më shumë se Amerikën).

Sot, në fillimin  e shekullit të 21-të, ne jetojmë në një botë, të cilën amerikanët e përfytyruan dhe e krijuan si “të ardhmen” e tyre dhe që ne e quajmë globalizëm. Shoqëria e sotme ka tendencën të bëhet gjithnjë e më shumë globale. Sigurisht që ky proces ekonomik dhe shoqëror emancipues i paparë në shkallë globale është shoqëruar dhe shoqërohet me një kosto të lartë, e cila rëndon mbi disa vende apo rajone të veçanta më shumë se mbi të tjerat. Ai shoqërohet, gjithashtu, me koston e përkeqësimit të kushteve të mjedisit, barrën e së cilës e mbajnë si metalurgët e çelikut në Pitsburg, ashtu edhe fiset e Amazonës, bujqit e Nigerisë apo komunitetet myslimane në periferi të Parisit. Sidoqoftë, arritjet e këtij procesi emancipues global kanë qenë dhe janë kolosale e të mahnitshme. Sot, më shumë njerëzve se kurrë më parë u mundësohen dalja nga niveli i varfërisë absolute, në të cilën kanë jetuar paraardhësit e tyre, si edhe kushte më të mira pune e jetese. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, në kushtet e një ekonomie të dominuar nga tregu i lirë, jetëgjatësia e njerëzve në shumicën e vendeve në zhvillim është rritur me afro 20 vjet. Analistë të ndryshëm vlerësojnë se, si rezultat i përfshirjes së Kinës në proceset globalizuese, rreth 400 milion kinezë kanë mundur të dalin nga niveli i varfërisë absolute brenda jetëgjatësisë së një brezi njerëzor.

donald-trump-is-going-off-on-megyn-kelly-againGjithsesi, duket se aktualisht ka shumë pikëpyetje për të administratën e Trumpit… A mund të artikuloni disa nga këto pikëpyetje?

– Po, është e vërtetë. Unë do të rendis disa. A do të mundet z. Trump, me anën e politikave proteksioniste të tij, t’i ndalë, ose t’i pengojë proceset globalizuese në shoqërinë e sotme? A do t’i shpallë ai “luftë tregtare” Kinës dhe a do ta revizionojë politikën amerikane të një Kine të vetme (të ashtuquajturën “One-China Policy”)? A do t’i përmirësojë ai marrëdhëniet me Moskën, apo këto mundet eventualisht të përkeqësohen edhe më tej? A do ta luajë Trumpi kartën moskovite në dëm të Kinës dhe a do të afrohet ai më shumë me Indinë, si një kundërbalancë ndaj dragoit kinez? A do t’i shfrytëzojë ai Britaninë e Madhe dhe Turqinë, dy aleatë të vjetër të Uashingtonit (tashmë asnjëri pjesë e Bashkimit Europian) për t’i amplifikuar divergjencat e tyre me BE-në dhe kontradiktat mes kësaj të fundit dhe Rusisë? A do t’i ruajë administrata e re marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Arabinë Saudite, Katarin etj., pas sinjaleve të qarta që Trump ka dhënë se do të investojë më shumë vëmendje dhe energji në Izrael, duke i zhbërë edhe ato suksese që janë arritur në marrëdhëniet e Israelit me Palestinën? A do i mbyllë administrata e z. Trump portat e Amerikës, këtij vendi të krijuar nga emigrantët e ardhur nga të katër anët e globit dhe a do të gjenerojë një politikë e tillë kundërshti, reaksion dhe më shumë terror ndaj Amerikës? A do të bëhet “Muri Meksikan” një faktor rritjeje e stabiliteti për ekonominë dhe shoqërinë amerikane, apo, në të kundërt, problemet me fqinjin e tij jugor do ta bëjnë më të vështirë politikën e Uashingtonit? Dhe, a do t’i thellojnë  të gjitha këto sentimentet anti-amerikane dhe krizën e besimit ndaj Shteteve të Bashkuara, që kanë kohë që sillen si një fantazmë në të katër anët e globit?

Ronald Reagan, presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara, e përfytyronte Amerikën si një “qytet mbi kodër që shndrit”, si “një qytet të lartë e krenar, ndërtuar mbi shkëmbinj më të fortë se oqeanet dhe që u rezistonte furtunave. I bekuar nga Zoti dhe i populluar nga njerëz të të gjitha llojeve, që jetojnë në harmoni e në paqe me njëri-tjetrin, një qytet me porte të lira e të gjallëruara nga tregtia dhe kreativiteti, dhe nëse do të duhej që ky qytet të rrethohej nga mure, muret e tij kishin dyer dhe dyert ishin të hapura për këdo që do të kishte vullnetin dhe dëshirën të vinte këtu. Kështu e shihja unë atë qytet dhe kështu vazhdoj ta shoh”. A do ta shohë edhe presidenti Trump Amerikën si paraardhësi i tij republikan, Reagan? Këtë le ta gjykojmë nga politikat që ai do të ndjekë.

– Por, sa dhe si do të ndikojë kjo zgjedhje e amerikanëve në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA?

 – Për të mos rënë në vorbullën e spekulimeve kaq të zakonshme në mediat tona, dëshiroj të them shkurtimisht këto: (1) Amerika ka qenë dhe do të mbetet e interesuar për rajonin e Ballkanit (kryesisht) dhe për Shqipërinë, si pjesë e tij; (2) Shqipëria nuk është as në radhën e parë, as në të dytën, as në tretën në radarin e politikës së Uashingtonit; (3) ajo çka i ka interesuar çdo administrate amerikane në raportet e saj me Shqipërinë (dhe unë besoj se ky mbetet interesimi edhe i administratës Trump) është forcimi i sigurisë dhe konsolidimi i demokracisë në vendin tonë dhe paqja e stabiliteti në Ballkan.

– E djathta shqiptare, e përfaqësuar nga PD, është entuziazmuar nga zgjedhja e zotit Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë. Sa i justifikuar është entuziazmi i tyre?

 – Nuk e kuptoj pse ndonjë parti politike shqiptare, ose politikanë të veçantë që e quajnë veten “të djathtë” duhet t’i entuziazmojë zgjedhja e z. Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë!! A thua se ata janë “binjakët politikë” të republikanëve amerikanë (qesharakë, politikanë sharlatanë, si Fatmir Mediu), apo, mos vallë, tani që president është z. Trump, “të djathtëve shqiptarë” do u hapet dyert e Shtëpisë së Bardhë? Qesharake! Shumë qesharake! Disa prej këtyre politikanëve që përmendni ju kanë njëçerek shekulli që mbajnë mantelin e “politikanit të djathtë”, por kanë mbetur UFO të politikës dhe gënjeshtarë të paskrupullt të publikut shqiptar në lidhje me marrëdhëniet e tyre me Uashingtonin zyrtar.

– Kryeministri Edi Rama është shprehur hapur kundër zgjedhjes së Trump-it. A do të ndikojë kjo në të ardhmen e tij politike dhe të majtës që ai përfaqëson?

 – Aspak, nuk ka asnjë arsye që ta besoj këtë. Qeveritë shqiptare i zgjedhin vetë shqiptarët dhe fatet e partive politike në Shqipëri, si kudo tjetër, janë në duart e votuesve shqiptarë.

– Na ndajnë më pak se pesë muaj nga zgjedhjet e 18 qershorit. A mund të bëni ndonjë parashikim për to? (Natyrisht duke bërë dhe korrigjimin për zgjedhjet në SHBA).

 – Parashikim? Më jepni edhe katër muaj kohë, që të mos gaboj kaq herët.

Intervistoi Xhevdet ShehuDITA