Politika Doli Rama më i fortë nga Konferenca e Donatorëve? Meta: Nuk më...

Doli Rama më i fortë nga Konferenca e Donatorëve? Meta: Nuk më intereson

I ftuar në “Open” në Top Channel, presidenti Ilir Meta foli sa i takon mbledhjes së 1.15 miliardë euro donacioneve gjatë Konferencës së Donatorëve, për rimëkëmbjen e Shqipërisë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Meta u shpreh se e duartroket këtë nismë, ku vendet mike të Shqipërisë na u gjenden pranë sërish.

“Duartrokas këtë nismë dhe shpresoj që këto para të shkojnë aty ku duhet dhe të kalohet sa më shpejt fatkeqësia e tërmetit. Por të mos harrojmë që të gjithë vendet veçanërisht SHBA u ka bërë thirrje për transparencë me këto fonde”,  tha Meta.

“A është pak kontradiktore fakti që ju thoni se kjo qeveri po bën grusht shteti dhe nga ana tjetër duartrokisni për Konferencën e Donatorëve?”- e pyeti Andi Bushati.

“Shikoni, ka edhe vende të tjera, vende diktatoriale që marrin kredi nga Banka Botërore. Unë duartrokas këtë nismë dhe falenderoj çdo vend që ka dhënë për popullin shqiptar, shpresoj që paratë të shkojnë aty ku duhet”, tha Meta.

Meta nuk është aspak i interesuar për faktin që pas Konferencës së Donatorëve, ku u dhuruan 1.15 miliardë euro për rindërtimin e vendit, kryeministri Edi Rama mund të dalë më i fortë.

Për të ka rëndësi vetëm që shqiptarët të jenë përfituesit.

“Nuk më intereson nëse Rama doli më i fortë nga kjo konferencë. Më intereson që këto ndihma të shkojnë te qytetarët shqiptarë. A ia njoh ndonjë rol të mirë kryeministrit për këtë konferencë? Patjetër, unë jam gati që të duartrokas për kryeministrin, për qeverinë, për çdo punë të mirë që kanë bërë. Kemi bashkëpunuar me qeverinë për këtë konferencë”, tha Meta në emisionin “Open”.

Pyetjes nëse Rama i ka zgjedhjet e ardhshme të siguruara, kreu i shtetit u përgjigj se ky është një koment që nuk i takon të merret. Por ai vuri në dukje faktin që duhet transparencë për përdorimin e donacioneve.

“Këto donacione janë për popullin shqiptar. Kemi solidarizim të vendeve me shqiptarët”, tha ai.