Në një fjalim të rrallë televiziv, presidenti rus Vladimir Putin i kërkoi rusëve të “tregohen të disiplinuar e të përgjegjshëm” dhe të qëndrojnë në shtëpi. “Ajo që po ndodh sot në Europë dhe përtej oqeanit, mund të kthehet në të ardhmen tonë të afërt”, deklaroi shefi i Kremlinit.
“I bëj thirrje qytetarëve të vendit të mos mbështetemi tek fati. Ju lutem mos mendoni: ah, kjo s’do të më ndodhë mua! Ky virus mund të prekë këdo. Duhen respektuar të gjitha rregullat. Është e domosdoshme të mbrojmë veten dhe njerëzit tanë të dashur. Besomëni, gjëja më e sigurtë për t’u bërë tani është të qëndroni në shtëpi”.
Për shkak të situatës së krijuar, Putin vendosi të shtynte dhe votimin e shumëdëshiruar prej tij të ndryshimeve kushtetuese, që do t’i mundësonin qëndrimin më gjatë në pushtet. Votimi ishte parashikuar të mbahej në 22 prill, por tani do të shtyhet për “një datë të mëvonshme” të pacaktuar.
Mandati aktual i Putinit – i dyti i njëpasnjëshëm gjashtëvjeçar – përfundon në vitin 2024, e kushtetuta ruse, në formën aktuale, nuk e lejon të garojë mandatin e tretë radhazi. Me ndryshimet e fundit ndërkohë, ai mund të kërkojë një mandate tjetër në 2024 dhe në 2030. Me një popullsi prej gati 145 milionë banorësh, Rusia ka vetëm një të vdekur nga koronavirusi dhe 658 raste të infektuar. Moska qe në 30 janar vendosi mbylljen e kufirit me Kinën, dhe në fund të atij muaji nisi testimin masiv të popullsisë për t’i identifikuar sa më shpejt rastet e sëmundjes e për të frenuar përhapjen e saj.