Tensionet mes Turqisë dhe Greqinë kanë arritur kulmin ditën e sotme, pasi Athina zyrtare ka paralajmëruar se do të dërgojë trupa ushtarake në Libi, ku gjenden tanimë edhe ato turke. Deklarata e Greqisë vjen pasi Turqia njoftoi se do të dërgonte një anije pranë brigjeve të Kretës për të kërkuar për naftë, zonën të cilën e quan tanimë si pjesë të kufirit të saj detar.
Por si u përfshi Libia në përplasjet e vazhdueshme mes dy vendeve dhe a mund të përshkallëzohen edhe më shumë tensionet mes Ankarasë dhe Athinës?
Komandanti i forcave rebele që luftojnë qeverinë e mbështetur nga OKB-ja në Libinë e shkatërruar nga lufta ka mbajtur një sërë takimesh në Athinë në përpjekje për të siguruar mbështetjen e Greqisë kundër Turqisë.
Gjenerali rebel libian Khalifa Hifter u takua me Ministrin e Jashtëm Grek, Nikos Dendias pasi arriti për një vizitë të papritur të enjten në mbrëmje dhe ka takuar sot kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë grekë.
“Greqia është e gatshme që të ndihmojë në vendosjen e paqes dhe qetësisë në Libi, qoftë kjo edhe me forca ushtarak. Jemi të gatshëm të ndihmojmë për një armëpushim dhe për heqjen e embargos së armëve”, deklaroi për mediat në përfundim të takimit me ushtarakun libian, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias.
Vizita e befasishme nga Hifter vjen ndërkohë që Turqia ka arritur një marrëveshje detare më kundërshtarin e tij duke i çuar kufijtë deri në Kretë. Të dielën në Berlin mbahet një takim shumë palësh për të ndaluar konfliktin në Libi, por Gjermania nuk e ka ftuar Greqinë.
Turqia, e cila ka premtuar të dërgojë trupa për të mbështetur qeverinë e Libisë kundër gjeneralit Hifter, është përfshirë në një tension të jashtëzakonshëm politik me Greqinë, e cila për t’iu kundërpërgjigjur duket se është e gatshme të dërgojë edhe ajo trupa në Libi.
Në nëntor, Turqia dhe Libia nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme për kufirin detar në Mesdheun Lindor, e cila alarmoi Athinën pasi mohonte ekzistencën e disa prej ishujve grekë.
Kryeministri Mitsotakis, i cili nuk ishte i ftuar në samitin në Berlin, ka paralajmëruar se Greqia do të përdorë fuqitë e vetos si anëtar i Bashkimit Evropian, në përpjekje për të bllokuar çdo marrëveshje që do të arrihet me Libinë nëse nuk anulohet marrëveshja detare e Turqisë.
Por presidenti Rexhep Taip Erdogan duket se po mendon gjithçka përveç tërheqjes nga ky pakt. Ai njoftoi ditën e djeshme se duke përfituar nga marrëveshja detare me Libinë, Turqia do të kryente operacione për kërkimin e naftës në zonat që pretendon se gjenden brenda saj raftit të saj kontinental. Duke parë marrëveshjen me Libinë, kjo nënkupton se presidenti planifikon të çojë anijet për shpimin e naftës deri në afërsi të Kretës.
Mediat greke kanë reaguar të alarmuara nga deklarata e presidentit turk, me shumë prej tyre që e cilësojnë si një provokim të jashtëzakonshëm ushtarak.