Dua Lipa ka publikuar albumin e saj të ri ndërsa qëndron në izolim për shkak të koronavirusit. Eksperiencën e saj, këngëtarja me origjinë shqiptare e ka rrëfyer në një intervistë për BBC-në.
Katër javë më parë, Dua Lipa fluturoi nga Australia për në Londër për të zbuluar se banesa e saj ishte përmbytur.
Këngëtarja mori me qira një ambient për të qëndruar ndërsa kryheshin riparimet. Por tani, ajo dhe i dashuri i saj Anwar Hadid kanë ngecur atje për shkak të bllokimit të lëvizjeve nga koronavirusi.
“Unë jam vërtet duke shijuar. Unë jam duke bërë gjëra që normalisht nuk e kam mundësinë për t’i bërë, e kaloj kohën thjesht duke fjetur dhe duke lexuar një libër apo duke ndjekur shfaqje në TV.” – i thotë ajo BBC-së përmes telefonit.
Dua ka biseduar me fansat përmes rrjeteve sociale, ndërsa qëndron e izoluar në Londër
Gjumi i tepërt nuk ishte menduar të ishte në rendin e ditës këtë muaj, për shkak të axhendës së ngarkuar.
Albumi i dytë i Duas “Future Nostalgia” u bë gati për t’u publikuar në fillim të muajit prill, dhe axhenda e saj për pjesën tjetër të vitit 2020 ishte e mbushur me një turne botëror.
Por ndërsa artistë si Lady Gaga dhe Sam Smith i kanë vonuar albumet e tyre për shkak të koronavirusit, Dua zgjodhi ta publikonte, duke ia ofruar fansave një javë më herët sesa ishte planifikuar.
Ky nuk ishte një vendim i lehtë për të, pasi ajo u shfaq në lot kur e dha lajmin drejtpërdrejtë në një transmetim në YouTube. E kjo jo vetëm sepse albumi kishte dalë në internet më herët.
Në fund të fundit, ajo mendon se ishte më mirë që u publikua, në vend që të shqetësohej për strategjinë e lançimit “perfekt”.
“Unë e bëra këtë album për t’u larguar nga çdo presion, ankth dhe mendim nga bota e jashtme.
Po, u bë për t’u dëgjuar në klube dhe festivale, por në të njëjtën kohë, unë dëshiroja t’u jepja njerëzve lumturi gjatë kësaj kohe. Ata nuk duhet të mendojnë për atë që po ndodh, por thjesht të kërcejnë. Ndoshta duhej të dilte tani, e jo më vonë”- thotë ajo.
E siç shkruan BBC, albumi i saj “Future Nostalgia” po shkon në numrin një në Mbretërinë e Bashkuar dhe është ndër pesë të parat në SHBA. Gjithashtu është një nga albumet më të vlerësuara të vitit 2020 deri më tani.