Kjo është pamja që Zana zgjohet çdo ditë që prej mëngjesit të 26 Nëntorit. Pallati përballë saj u rrënua duke marrë nën gërmadha jetën e 7 banorëve në lagjen 18 të Durrësit. Ankthi e përndjek çdo moment.
Edhe banesa ku jeton me bashkëshortin ka pësuar dëme të mëdha. As ngjyrat e festës nuk e zbehin dot zinë që ka pllakosur në qytet.
Vitrinat janë mbyllur pa njoftimin se kur do të hapen sërish. Lagjet e qytetit pothuajse janë shkretuar. Pjesa më e madhe e banorëve janë larguar nga qyteti.
Shumë prej pallateve janë rrethuar me shiritin e zonës së rrezikut. Po mes tyre ka banorë që ngjiten ende për të parë banesat.
Gjallësia e zbehtë e ditës zhduket thuajse plotësisht gjatë orëve të mbrëmjes. Qytetit bregdetar i mbeten godinat, por jo banorët e tij të arratisur diku larg.
/Tv Klan