Presidenti i Republikës, Ilir Meta, edhe njëherë ka deklaruar se procedura që ka ndjekur KED ka qenë një akt mafioz. I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i shtetit theksoi se KED është një instrument administrativ dhe kolegjial, i cili nuk ka të drejtë të marrë vendime.
Mirëpo sipas Metës, kryetari i KED ka zbatuar porosinë e partisë dhe e ka dorëzuar listën me kandidatët për Gjykatën Kushtetuese ndryshe në kohë Presidentit dhe Kuvendit.
“Këto vakanca sipas emrave janë shpallur në kohë të ndryshme. KED ka për detyrë të respektojë Kushtetutën, pas Kushtetutës të respektojë ligjin dhe të mos më detyrojë mua të shkel ligjin. Të ndihmojë Kuvendin të mos shkelë as Kushtetutën e ligjin. Nuk ka imponencë KED të më imponojë mua të shkel ligjin.
Shiko çfarë ka bërë KED dhe pse është një akt mafioz. Është një akt mafioz sepse listat që janë bërë për të gjithë këto vakancat që kanë qenë të përcaktuara, këto lista që janë bërë janë miratuar në një kohë nga Komisioni i Emërimeve në Drejtësi. Kryetari, i cili ka të drejtë të përgatisë rendin e ditës, të drejtojë mbledhjet etj., për të zbatuar porosinë e partisë ka bërë që presidentit dy vakancat që i takojnë ia ka çuar në një datë, ndërsa Kuvendit që duhet t’ia jepte të ndryshme ia ka çuar shtatë ditë me vonesë të njëjtat liste.
Pse? Sepse sipas mendjes së tij inteligjente që presidentit t’i mbaronte mandati për të dytin në të njëjtën kohë me të parin që janë gjëra të ndryshme dhe Kuvendi të kishte 7 kohë ta shtynte këtë gjë. Tani Presidenti ose të detyrohej që përveç të parit ose brenda 30 ditëshit të bënte emërimin e të dytit që i takonte presidentit dhe të ishte një shkelje e qartë e Kushtetutës dhe me ligjin për Gjykatën Kushtetutën nga ana e Presidentit. Kudo që të çojë kjo gjë do të rrëzohej.
Ajo që u përpoqën ata të bënin, por që dështuan, ishte që të krijonin idenë që Presidentit i skadon afati. Unë prita Kuvendin të shprehej”, tha Meta.