Ajo është 22 vjeç, ende nuk ka mbaruar studimet e larta, por është golashënuesja më e mirë në botë për vitin 2018.
Kjo është Megi Doçi, vajza e cila luan për Vllazninë dhe kombëtaren shqiptare të futbollit ndërkohë që ka shënuar më shumëse kushdo tjetër në të gjitha kompeticionet në rruzullin tokësor.
Me 84 gola, Megi lë pas futbolliste nga vende si Shtetet e Bashkuara, Argjentina Portugalia, Polonia e shumë vende të tjera.
Suksesi padyshim që e gëzon por për futbollisten e talentuar, ngritja lart e emrit të vendit tonë si dhe Vllaznisë, skuadrës së saj të zemrës është ajo që e lumturon më shumë.
“Është meritë e gjithë stafit të Vllaznisë që organizojnë të gjithë mundësitë të shënoj. Para një jave u kontaktova nga personi që bën studimin dhe më tha: Urime, je në vend të parë!”, thotë modeste sulmuesja.
Në fakt Megi nuk ka patur asnjë informacion lidhur me rekordin e saj. Pas vendit të katërt 1 vit më parë shkodrania tregon se ka punuar me shumë vullnet dhe rezultati edhe pse surprizë u bë realitet.
Por ndryshe nga bashkëmoshataret e saj Megi Doçi është e veçantë sepse prej disa vitesh stërvitet me një skuadër djemsh, sikurse është Shkëndija U17. Për shkak të studimeve në Tiranë, por edhe nivelit të saj të lartë, ajo ka zgjedhur djemtë edhe për të përmirësuar aftësitë si fizike ashtu edhe teknike.
“Stërvitja me djemtë me bën që të lëviz më shpejt me topin”, shpjegon ajo.
Talentja e cila stërvitet me një skuadër djemsh nuk e mohon dëshirën për të nisur një karrierë jashtë vendit, por studimet e larta si fajtor kyç dhe aktivizimi me skuadrën e Vllaznisë kanë bërë që ajo të mbetet për të paktën edhe një vit në Shqipëri.
Trajneri i Shkëndijës U17, Luan Pinari tregon se Megi është një vajzë që stërvitet rregullisht, me disiplinë dhe shumë korrektësi. Sipas Pinarit futbollistja 22-vjecare i ka të gjitha mundësitë që të shkëlqejë edhe në një eksperiencë jashtë kufijve.
Në fund Megi Doçi, vajza e cila po shkruan faqet e historisë së futbollit shqiptar për femra por edhe atij botëror, krahas vështirësive që sporti, dhe në veçanti futbolli i femrave has në vetvete në vendin tonë ka edhe një apel për të gjithë futbollistet e reja dhe prindërit e tyre: “Lejoni vajzat të ndjekin pasionin e tyre, se ndoshta një ditë edhe ata do të jenë krenar si janë sot prindërit e mi për mua”./ A2news