Bota Edhe BE pezullon vaksinimin me Johnson & Johnson

Edhe BE pezullon vaksinimin me Johnson & Johnson

Pas Shteteve të Bashkuara edhe vendet e Bashkimit Europian dhe Afrika e Jugut do të pezullojnë përkohësisht injektimin e vaksinës Johnson & Johnson.

Vendimi erdhi pasi të martën, ishte Administrata Amerikane e Barnave FDA që rekomandoi pezullimin pas dyshimeve se injeksionet e kësaj vaksine u shkaktuan 6 vajzave dhe grave të moshave nga 18 deri 48-vjeç, mpiksje të rralla gjaku. Madje njëra prej tyre ndërroi jetë.

Vaksinimi me Johnson & Johnson në vendet europiane nisi këtë javë, vetëm 24 orë pasi Autoriteti Amerikan i Barnave rekomandoi pezullimin e vaksinimit me këtë vaksinë në Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët e FDA-së thanë se do të kryejnë një rivlerësim për vaksinën Johnson & Johnson, për të vërtetuar nëse ajo është shkaktare e drejtpërdrejtë e trombozave. Rastet e trombozave megjithatë përbëjnë një përqindje të papërfillshme prej 0.00009% në përpjesëtim me numrin e të vaksinuarve që arrin në 6.8 milionë njerëz.