Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi shefi i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, njoftoi se do të ngrejë një padi ndaj tij për deklaratën e bërë pak ditë më parë, ku shprehej se së bashku me presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, Rama do të ndante 10 miliardë euro në tavolinë nëpërmjet planit të ndarjes territoriale të Kosovës.
Në një komunikim me televizionin informativ “News 24”, Haradinaj nuk u tërhoq nga akuza e tij. “Nuk e kam ndjekur atë që tha Rama. Kam lexuar nëpër portale. Ai ka shqetësimet e tij. Unë kam kundërshtuar shkëmbimin e territoreve, do të ishte humbje e madhe për Kosovën. Duan të marrin pasuritë e Kosovës”, tha Haradinaj.
Akuza e Haradinaj: ”Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë €, Trepçja jep një fitim neto rreth 500 milionë €në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë €, të cilat duhet t’i gëzojë Kosova dhe Serbia. Ndalova grabitjen 10 miliardë €, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por, unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”.
Përgjigjja e Ramës në emisionin “Opinion”: “Në gjykatat e Kosovës, zotëria duhet të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndanim unë, Hashim Thaçi dhe Vuçiçi. Që t’i thuash një populli se ishin 10 miliardë në tavolinë atyre bravo ju qoftë që marrin akoma vota.
Ky dha dorëheqjen me demek dhe është akoma kryeministër i Kosovës, një person që më detyroi të dal publikisht që gënjeu publikisht pas samitit të Berlinit. Në asnjë sekondë nuk i kam bërë presion që të heqë taksën.
I kam thënë vetëm që “kjo që të propozon Makron të vjen vetëm një herë”. Makron në sy tim, kancelares dhe dhe presidentit të Serbisë i tha: “Më jep 4 muaj Ramush dhe do futem unë në procesin e dialogut. Ti pezulloje taksën. Nuk i tha njeri hiqe. Serbia të pezullojë fushatën idiotekse kundër njohjeve dhe unë do të heq veton për vizat”.
Në vend që të bënte një lëvizje taktike për të marrë diçka bëri një kokfortësi dhe sot Kosova nuk ka akoma vizat. Dhe pastaj gënjeu dhe tha që po më bëjnë presion. Këtë kryeministrin në ikje do ta çoj në gjyq”.