Kulturë FOTO/ Gérard Depardieu nderohet me “Çelësin e qytetit” të Gjirokastrës

FOTO/ Gérard Depardieu nderohet me “Çelësin e qytetit” të Gjirokastrës

Aktori i madh francez, Gérard Depardieu, u nderua me “Çelësin e qytetit” të Gjirokastrës nga kryetari i bashkisë së qytetit të gurtë, Flamur Golemi.

Depardieu ndodhet në Gjirokastër në kuadër të xhirimeve për filmin “Milosheviçi dhe unë”, të regjisorit nga Prishtina, Arben Kastrati.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, shprehet se ” Një qytet i përbotshëm si Gjirokastra ka edhe qytetarët e vet që i njeh bota mbarë. Një prej tyre është aktori francez Gérard Depardieu, të cilit me kënaqësi dhe vlerësim të lartë i dhurova në mënyrë simbolike “Çelësin e qytetit””.

Sipas tij, prania e tij në qytet për herë të parë ka një rëndësi të madhe për Gjirokastrën.

“Njerëz si Gérard Depardieu janë mesazherë dhe promovues të rëndësishëm të qytetit në nivel ndërkombëtar. Vlerë e shtuar është natyrisht edhe vetë filmi, disa skena të të cilit po xhirohen në Gjirokastër”, – thekson Golemi.

Kryebashkiaku Golemi shpreh besimin se Depardieu do të rikthehet sërish, njësoj si shumë të tjerë që kanë ardhur për herë të parë në këtë qytet dhe janë magjepsur prej tij, aq sa kanë rezervuar një vizitë të dytë, një të tretë… e kështu me radhë.

Në librin e bashkisë së Gjirokastrës aktori Depardieu la këtë shënim “Faleminderit Gjirokastrës dhe Kryetarit të bashkisë Flamurit, si dhe grave gjirokastrite! Shihemi së shpejti. G. Depardieu”.

Gérard Depardieu ka lindur më 27 dhjetor 1948. Ai është një nga aktorët më të njohur të personazheve në historinë e filmit. Depardieu filloi karrierën e tij të aktrimit në teatrin e vogël udhëtues “Cafe de la Gare”, së bashku me Patrick Dewaere dhe Miou-Miou. Pas roleve të vogla në kinema ai interpretoi në “Bertrand Blier’s Going Places” (1974. Me këtë film popullariteti i aktorit u rrit jashtëzakonisht shumë. Më vonë, ai diversifikoi imazhin e tij në ekran dhe u bë aktori kryesor francez i viteve ’80 dhe ’90. Në 1996, ai u nderua me titullin e lartë francez të “Chevalier du Légion d’Honneur”.