Bota Edukatorja helmon 25 fëmijë në një kopësht, dënohet me vdekje

Edukatorja helmon 25 fëmijë në një kopësht, dënohet me vdekje

Një edukatore kopshti në Kinë, e cila helmoi me nitrat natriumi 25 fëmijë, ndërsa një prej tyre ndërroi jetë, të martën, është dënuar me vdekje.

BBC, raporton se Wang Yun u arrestua vitin e kaluar, menjëherë pas përfundimit në spital të disa fëmijëve në një kopësht të qytetit Jiaozuo në Kinën lindore, pasi kishin konsumuar mëngjesin e tyre.

Gjykata, të martën tregoi se gruaja vendosi nitrat natriumi në mëngjesin e fëmijëve në shenjë hakmarrje, pas një debati që pati me një kolege.

Nitrati i natriumit është një substancë që përdoret shpesh si shtesë ushqimore për mishin, por që mund të shndërrohet në toksike në sasi të mëdha.

“Nuk është hera e parë që znj.Wang helmonte njerëz”, tha gjykata, duke iu referuar një incidenti të mëparshëm ku ajo bleu nitrat në internet, duke helmuar edhe burrin e saj.

Sjellja e saj u përshkrua si “e neveritshme dhe mizore” nga gjykata.

Ngjarja ndodhi me 27 mars të vitit të kaluar, ndërsa mediat vendase e konsideruan një lajm tronditës për opinionin publik.