Ekonomi Eksperti: Ulja e konsumit të energjisë elektrike rrjedhojë e uljes së vjedhjeve...

Eksperti: Ulja e konsumit të energjisë elektrike rrjedhojë e uljes së vjedhjeve në rrjet

Eksperti i energjisë, Azmer Duleviç, rendit disa arsye se pse konsumi i energjisë në tremujorin e dytë të vitit është ulur, pavarësisht sezonit turistik dhe fluksit të lartë të vizitorëve. Sipas tij konsumi është ulur sepse janë ulur humbjet teknike dhe jo teknike, ose siç preferon ta quajë ai “thënë më thjesht janë ulur vjedhjet”.

Referuar publikimit të botuar në disa media, sipas të dhënave të INSTAT, eksperti shprehet se përllogaritja e kryer nga mediat është e gabuar, pasi është ulur konsumi i energjisë nga abonentët familjarë dhe është rritur konsumi i jo familjarëve, ku përfshihen bizneset.

Eksperti thotë se investimet e realizuara nga subjektet private përmes vendosjes së paneleve fotovoltaike, duke u kthyer në prodhues të energjisë, kanë ndikuar gjithashtu në uljen e konsumit të energjisë elektrike.

“Për ata që habiten pse ka rënë konsumi i energjisë elektrike në tremujorin e 2 dhe që mundohen ta lidhin me turizmin dua ti them se e kanë gabim dhe ti shohin të dhënat ashtu si duhet dhe jo si i duan ata!

E para ka rënë konsumi sepse janë ulur humbjet teknike dhe jo teknike e thënë më thjesht janë ulur vjedhjet bashkangjitur do të gjeni të dhënat!

E dyta Investigimi i Birn këtu është i gabuar,është ulur konsumi i energjisë i familjarëve dhe është rritur konsumi i jo familjarëve (hotele, restorante)

E treta Shumica e Hoteleve dhe Restoranteve e prodhojnë vetë energjinë elektrike me investimin e tyre (fotovoltaik) e cila sjell më pak energji e marrë nga rrjeti shtetëror!”, shkruan Duleviç.