Aktualitet Ekzekutimi i shqiptarit në Ekuador/ Kush ishte “Pikja” dhe roli i tij...

Ekzekutimi i shqiptarit në Ekuador/ Kush ishte “Pikja” dhe roli i tij në trafikun e kokainës

Vrasja e 34 vjeçarit shqiptar, Ergys Dashi në Ekuador është komentuar gjerësisht në Shqipëri nga gazetarët e kronikës së zezë. Sipas gazetarit Elton Qyno rasti i ekzekutimit të tij është i përsëritur pasi ka ndodhur edhe më parë tjetër kur autorët përdorin buqetën me lule si karrem për të kryer vrasjet.

Sipas tij, 34 vjeçari Dashi njihej me pseudonimin ‘Pikja’ dhe bënte rolin e koordinatorit në Ekuador, ndërsa ishte mik i ngushtë i Eldi Dizdarit.

“Të gjithë vrasjet që janë kryer në Ekuador janë pa autor. Nuk ka një ngjarje që të ketë autor. Çdo viktimë që regjistrohet atje është i pazbardhur. Këto janë raste déjà vu. Ky rasti i lules është i ngjashëm me një rast në Itali kur kanë shkuar me buqetë me lule në spital. Pra përsëriten në mënyrë të përsosur dhe precize.

Ergys Dashi njihet me pseudonimin “Pikja”, bënte një jetë mes Durrësit dhe Tiranës. Ngjarja padyshim është shumë e rëndë, personazhi ka lidhje me persona me shumë influencë në trafikun e lëndëve narkotike. Nuk është ushtar por koordinator, pra qëndron në atë shtet për të koordinuar direktivat e bosave të tij nga Dubai ose nga vendi ynë”, – u shpreh Qyno për emisionin ‘Open’ në Top Channel.