Joaquin Guzman, i njohur me nofkën El Chapo bosi meksikan i drogës që gjendet pas hekurave, ka njoftuar se ka në plan të themelojë një markë mode veshjesh nga burgu e cila do të ketë emrin e tij.
Siç është raportuar nga New York Daily News, El Chapo është frymëzim për fillimin e një biznesi të ri prej dy vajzave të tij binjake, ndërsa punën thuhet se do të marrë në dorë gruaja e tij, Emma Coronel Aispuro.
Kjo do të thotë se veshje me nënshkrimin e një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës të të gjitha kohërave mund të gjenden së shpejti në SHBA dhe Meksikë.
El Chapo, i cili muajin e kaluar u shpall fajtor për trafikim droge, pastrim të parash dhe posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit, nënshkroi dokumentin e komunikimit me botën e jashtme, gjë e domosdoshme për mbarëvajtjen e firmës.
“Ky projekt është një ide që Joaquin dhe unë e kemi zhvilluar për një kohë të gjatë”, tha e shoqja, Emma Coronel Aispuro.