Ekonomi Euro bie në nivelin më të ulët në një vit

Euro bie në nivelin më të ulët në një vit

Euro shënon nivelin më të ulët në harkun kohor të një viti. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka zbritur në kuotën e 122.9 lekëve, që është edhe niveli më i ulët i monedhës së përbashkët që përpara fillimit të pandemisë së Covid-19, në fillim të muajit mars 2020.

Rënia e fortë e euros gjatë javëve të fundit lidhet me faktorë të brendshëm, pasi në bursa monedha europiane ka fituar pikë kundrejt dollarit.

Oferta e euros në tregun valutor është e lartë, edhe pse sezoni turistik ende nuk ka nisur mirë. Ekspertët parashikojnë një rënie të mëtejshme të monedhës europiane, siç ka ndodhur çdo vit gjatë periudhës së verës.

Luhatjet e kursit të këmbimit kanë efekte më ekonomi. Një euro e dobët penalizon të gjithë ata që kanë të ardhura në këtë monedhë, familjet që marrin para nga emigrantët, depozituesit në euro dhe eksportuesit, veçanërisht fasonistët, që të gjithë aktivitetin e kryejnë në monedhën europiane.

Ndërsa përfitojnë kredimarrësit në euro, tregtarët dhe importuesit, si dhe qeveria, që do të paguajë më pak për borxhin e jashtëm.